MENU
klinika

Analiza e REL

Luftërat në Gazë dhe Liban përçajnë lidhjet e Izraelit me Evropën

29.10.2024 - 10:00

Luftërat e Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban kanë përçarë marrëdhëniet e tij me Evropën, aleaten tradicionale. Shtetet evropiane e kanë kritikuar Izraelin për luftën shkatërruese në enklavën palestineze, dhe për bombardimet ajrore e ofensivën tokësore në Liban. Çdo herë e më shumë rriten thirrjet për vënien e embargos ndaj armëve për Izraelin, sanksioneve ndaj anëtarëve të Qeverisë izraelite që i përkasin së djathtës ekstreme, dhe që Bashkimi Evropian të rishikojë marrëveshjen me Izraelin për tregti.

Pier Camillo Falasca, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e Informacionit Euro-Gulf në Romë, tha se kjo është “gjendja më e keqe e marrëdhënieve” mes Izraelit dhe Evropës. Në maj, Spanja, Irlanda, dhe Norvegjia e kanë njohur edhe zyrtarisht shtetin palestinez, çka ka nxitur kritika të ashpra prej Izraelit.
Ato u janë bashkuar tetë shteteve të tjera në bllokun me 27 vende anëtare, që tashmë e njohin shtetin palestinez. Ky hap simbolik është bërë me qëllim të fokusimit të vëmendjes në negociata, për t’i dhënë fund konfliktit në mes të Izraelit dhe Hamasit, grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Më herët këtë muaji, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thënë se shteti i saj ka vendosur embargo në armë për Izraelin, prej nisjes së luftës në Gazë, në tetor të vitit 2023. Italia është furnizuesja e tretë më e madhe e armëve për Izraelin.

Izraeli ka nisur ofensivën në Gazë disa javë pasi Hamasi ka kryer sulm të pashembullt në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 izraelitë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje më herët gjatë vitit që të ketë ndalesë të dërgimit të armëve në Izrael.

Parisi ka vendosur kufizime në eksportin e disa armëve dhe municioneve në Izrael. Në korrik të këtij viti, BE-ja ka sanksionuar për herë të parë disa kolonë izraelitë për “abuzime sistematike të të drejtave të njeriut”, kundër palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, dhe për bllokim të ndihmës humanitare në Gazë.

Ndërkohë, disa liderë evropianë kanë bërë thirrje që BE-ja të rishikojë Marrëveshjen e saj të Asociimit me Izraelin, duke argumentuar se Izraeli është duke shkelur pikën e marrëveshjes që flet për të drejtat e njeriut në Gazë.

Britania, e cila nuk është më pjesë e BE-së, ka thënë se është duke konsideruar sanksionimin e disa ministrave izraelitë të krahut të djathtë. Falasca ka thënë se numri i të vdekurve nga lufta në Gazë – mbi 42.000 njerëz, kryesisht civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze – e ka ndryshuar opinionin publik evropian.

Ai ka thënë se shumë banorë të kontinentit e shohin luftën e Izraelit si “joproporcionale dhe krejtësisht të paarsyeshme”. Sipas tij, shumë evropianë besojnë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të kishte çuar përpara një “strategji më humanitare dhe më racionale për të luftuar Hamasin, pa e shkatërruar gjithë territorin e Gazës”, pjesa më e madhe e së cilës tani është gërmadhë.

Falasca ka thënë se pika e kthesës për shumë shtete evropiane ka qenë kur Izraeli ka sulmuar dhe plagosur pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në jug të Libanit. Franca, Italia, Irlanda dhe Spanja kontribuojnë me angazhim të trupave në Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).

Më 19 tetor, 16 ministra të Mbrojtjes të BE-së, kanë bërë thirrje për “presion maksimal politik dhe diplomatik ndaj Izraelit”, për t’i parandaluar sulmet tjera. Bombardimet izraelite, që kanë shënjestruar Hezbollahun në jug të Libanit, kanë vrarë mbi 2.500 njerëz, kryesisht civilë, dhe kanë detyruar zhvendosjen e 1.2 milion tjerëve.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Nimrod Goren, hulumtues i lartë për çështje izraelite në Institutin për Lindje të Mesme, me seli në Uashington, ka thënë se protestat nëpër rrugët e Evropës dhe thirrjet për bojkotim të Izraelit në fushat akademike dhe kulturore, kanë krijuar përshtypjen që “diçka po lëviz”.

Megjithatë, “në nivel qeveritar, ndikimi është më i vogël sesa që shihet në hapësira jozyrtare”, ka thënë ai. Cohen ka thënë se vendet anëtare të BE-së janë thellësisht të ndara për kufizim apo bllokim të tregtisë me Izraelin. Ai ka thënë se kombet e fuqishme, sikurse Gjermania, ende e mbështesin fuqishëm Izraelin.

Falasca ka thënë se konfliktet dhe rritja e tensioneve në Lindje të Mesme kanë pasur ndikim direkt në Evropë, përfshirë çrregullimin e transportit ndërkombëtar të mallrave, si dhe në rritje të çmimeve të naftës.

“Qeveritë evropiane janë duke e kuptuar se duhet të jenë më proaktive në Lindje të Mesme, në krahasim me të kaluarën”, ka thënë ai./REL