Euro po zhvlerësohet me ritme të shpejta, duke kaluar në një nivel të ri, dhe këtë fillim jave po këmbehet për 98.5 lekë.
Monedha Europiane ka humbur afro 6 pikë nga fillimi i vitit, dhe pritshmëritë për rikuperim pas mbylljes së sezonit turistik masiv të muajit gusht, janë zbehur edhe këtë periudhë.
Në pozitat e euros kanë ecur edhe monedhat e tjera, ku në treg dollari këmbehet për 91.1 lekë, paundi britanik 118.1 dhe franga zvicerane 105.1 lekë.
Paratë që sjellin vizitorët nga jashtë së bashku me investimet e huaja direkte e kanë përmirësuar ndjeshëm Bilancin e Pagesave këtë vit, dhe këta konsiderohen faktorët kyç në gjendjen aktuale të kursit valutor.
Por, kjo ecuri godet grupe të ndryshme në vend, kryesisht biznesin e eksporteve dhe njerëzit që marrin rroga ose kanë mbajtur kursime në valutë.
Gjatë këtij muaji Banka Qendrore ka ndërhyrë në treg, duke blerë euro nga bankat tregtare, por efekti për të ruajtur kursin e qëndrueshëm nuk është shfaqur.
Nga ana tjetër, edhe FMN dhe Banka Botërore kanë këshilluar kontroll në ciklin e kursit valutor.