MENU
klinika

Shtohen edhe 4 aplikacione të reja online

Nga 1 janari, certifikatat e origjinës nga Doganat në mënyrë elektronike

11.10.2024 - 09:29

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, së bashku me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizuan dje (9 Tetor) forumin “Dogana – Biznes me fokus lehtësimin e procedurave doganore dhe informatizimin e mëtejshëm të shërbimeve doganore”. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim me bizneset e kryeqytetit, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, deklaroi se nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, do të hyjnë në fuqi rregullat e rishikuara të origjinës që do të lehtësojnë tregtinë nëpërmjet certifikatës elektronike të origjinës, duke ulur ndjeshëm kohën, por dhe kostot për bizneset.

“Shqipëria i ka ratifikuar rregullat e rishikuara të origjinës që do të hyjnë në fuqi më 1 Janar 2025, kur rregullat e origjinës së Konventës ekzistuese si edhe Rregullat Tranzitore të origjinës preferenciale që po zbatohen si rregulla alternative do të pushojnë së zbatuari,” u shpreh Gazheli. Kurse kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, deklaroi ndër të tjera se, marrëdhëniet e Administratës Doganore me biznesin aktualisht janë mjaft pozitive. “Këto 3 vitet e fundit, që nga takimi që kemi zhvilluar në DHTI-Tiranë, Dogana Shqiptare është e angazhuar dhe ka ndryshuar qasjen ndaj biznesit.

Administrata Doganore po i shërben gjithnjë e më shumë biznesit, duke ofruar procedura doganore transparente dhe të parashikueshme, ku përveç realizimit të të ardhurave synon për të mbajtur një balancë mes lehtësimit të procedurave dhe kontrolleve doganore”, nënvizoi Jaka. Forumi Biznes-Dogana u vlerësua si një mundësi e mirë për të diskutuar mbi përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe raportet me shërbimet doganore drejt standardeve të BE-së.