Ish-deputeti Jurgis Çyrbja u thirr në SPAK këtë të premte (11 tetor), vetëm një ditë pas dorëzimit të mandatit si deputet. Kjo është hera e dytë që SPAK thërret Çyrbjen, ku i ka komunikuar edhe vënien nën hetim për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, në kohën kur ai drejtonte Kadastrën e Durrësit.
Pas daljes nga SPAK, vetë Çyrbja nuk ka komentuar arsyen e thirrjes së tij por i është drejtuar mediave që “t’i drejtohen prokurorisë për më shumë informacione”.
Ndaj ish deputetit nisi hetimi pas një kallëzim të bërë nga demokrati Edi Paloka për “shpërdorim detyre” për legalizimet para zgjedhjeve 14 majit.
Çyrbja u paraqit në SPAK edhe tre ditë më parë, pasi do duhej të pyetej për akuzën e Palokës mbi firmosjen e bërë brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone.
Paloka pretendoi se edhe javët e fundit të fushatës Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
Çyrbja ishte në mandatin e tij të dytë si deputet i Partisë Socialiste. Në 2021-shin, Çyrbja ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës ndërsa për herë të parë u zgjodh ligjvënës në vitin 2017.