Tërmeti i sotëm me magnitudë 5.9 Rihter në Malatya të Turqisë rikthen te qytetarët turq makthin e tërmetit katastrofik që ndodhi rreth 1 vit e gjysmë më parë, ku mbetën të vdekur mijëra banorë.
Lëkundjet sizmike sollën panik dhe kaos në zonat ku u ndje tërmeti me banorët që nxituan të dilnin jashtë banesave për të shpëtuar.
Lëkundjet u ndjenë kryesisht në qarqet fqinje të Elazig dhe Diyarbakir, por edhe në rajonin më të gjerë, në Kahramanmaras, Erzincan, Tunceli dhe Antiyaman, duke shkaktuar panik te banorët.
Ministri i Brendshëm Ali Gerlikaya, në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale, vuri në dukje se deri më tani janë raportuar tre ndërtesa të dëmtuara në provincat Elazig, Malatya dhe Sanliurfa.
Ai tha gjithashtu se ekipet e reagimit emergjent po monitorojnë terrenin. “Po ndjekim nga afër zhvillimet në lidhje me tërmetin, i cili është ndjerë edhe në krahinat fqinje” , tha ministri turk.
Në një deklaratë të AFAD-it, theksohet se në numrin e telefonit të urgjencës 112 janë bërë 374 thirrje, 12 prej të cilave për ndihmë.
Deri më tani nuk raportohet për viktima.
Në deklaratën e bërë në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në rrjetet sociale thuhet se: “Nuk është raportuar asnjë humbje jete deri më tani nga tërmeti 5.9 Rihter që ndodhi në rrethin Kale të Malatya në orën 10.46 dhe u ndje nga krahinat përreth. UMKE dhe Urgjenca 112 Ekipet shëndetësore vazhdojnë skanimet e tyre në terren.”
Kujtojmë se Turqia u godit më 6 shkurt 2023 nga një tërmet i dyfishtë me magnitudë 7.7 dhe 7.6 Rihter, me qendër në Kahramanmaras, Turqinë Lindore, të cilat rrafshuan 13 provinca. Ky ishte tërmeti më i rëndë që ka përjetuar Turqia në shekullin në dekadat e fundit.