Kreu i ‘Lëvizja Bashkë’, Arlind Qori është shprehur se partitë e vjetra politike në Shqipëri, funksionojnë si organizata mafioze.
Në emisionin ‘Log.’ në News24, Qorri tha se nëse paratë dhe lidhjet e tyre nuk preken, do të vijojnë të kenë të njëjtin pushtet.
Ndër të tjera ai tha se ndëshkimi nga drejtësia i figurave politike, sjell efekte politike.
“Duhet të dallojmë qëllimet nga efektet e një institucioni. Problem është nëse institucionet e drejtësisë kanë qëllime politike. Kanë apo jo qëllime politike do ta shikojmë në vazhdim, nëse SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë do të vendosin në bankën e të akuzuarve edhe Erion Veliajn, Edi Ramën, Samir Manen, e oligarkët e tjerë. Pa diskutim që hetimi dhe ndëshkimi i figurave politike sjell efekte politike.
Unë kam përshtypjen se spektri ideopolitik në Shqipëri është mjaft më i varfër sesa në vendet e zhvilluara. Nuk jam i sigurt që Partia e zotit Meta apo e zotit Berisha automatikisht do të dobësohet prej burgosjes apo prej izolimit të tyre.
Partitë e vjetra politike funksionojnë si organizata mafioze. Autoriteti i bosëve të mafias vazhdon dhe nga burgu. Kështu që nëse pasuritë e tyre nuk preken, nëse lidhjet e tyre me oligarkë e pronarë mediash, paratë e nëntokës nuk preken, atëherë do të vijojnë të kenë të njëjtin pushtet, madje dhe një mit të heroizmit”, tha Qori.