Gazetarja Klodiana Lala është shprehur se lajmi për arrestimin e Ilir Metës nuk është i beftë.
Në studion e News24, ajo u shpreh se SPAK ka nisur hetimet ndaj presidentit të PL-së katër vite më parë.
Klodiana Lala theksoi se “nga një celular i sekuestruar janë nxjerrë të dhëna të reja për veprimtarinë e Ilir Metës”.
“Nuk ishte lajm i beftë arrestimi i Ilir Metës. Meta prej kohësh ka pasur gjuhë të ashpër ndaj SPAK. Janë dhe persona të tjerë me masë sigurie. Me masë detyrim paraqitje është edhe Monika Kryemadhi, ish-bashkëshorte e Ilir Metës. Prokuroria ka 4 vite që ka nisur hetimet për disa çështje.
Së pari, hetimi ka qenë me aferën CEZ-DIA, ka qenë i dënuar për çështjen Kastriot Ismailaj dhe ka pasur persona të tjerë të hetuar. Janë tre çështje të ndara, që janë ndalur tek hetimi pasuror. Edhe nga një celular i sekuestruar janë nxjerrë të dhëna të reja për veprimtarinë e Ilir Metës”, tha gazetarja.