Pushtimi tokësor i pritshëm i Izraelit në Liban na sjell në një realitet të ri strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dikur të plotfuqishme janë të pafuqishme për të frenuar aleatin e saj dhe për të ndikuar në luftëtarët e tjerë në krizën rajonale që përkeqësohet me shpejtësi në Lindjen e Mesme, shkruan “CNN” në një përgjigje të shpejtë, që mund të karakterizohet si kritikë brutale ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit dhe administratës politike të Joe Biden.
Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu nisi fazën tjetër të sulmit të saj ndaj Hezbollahut të hënën vonë në mbrëmje, raporton “CNN”, duke ofruar analizën e parë të situatës në terren që kur IDF izraelite njoftoi se po fillonte një pushtim tokësor të Libanit. E gjithë kjo ndodhi vetëm disa orë pasi Presidenti Joe Biden tha se tani “duhet të vendoset një armëpushim”, thekson “CNN”. “Do të doja që Izraeli të ndalonte”, tha presidenti amerikan. Komentet e tij, të bëra vetëm disa orë përpara pushtimit të ri tokësor, vetëm sa nënvizojnë hendekun midis qeverisë së SHBA-së dhe Izraelit, përfundon “CNN”.
E gjithë kjo po ndodh në një ditë kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua të gjithë Lindjes së Mesme: “Nuk ka asnjë vend ku Izraeli nuk mund të arrijë,” tha ai. Më tej, shkruan “CNN”, kjo shkëputje mes Uashingtonit dhe Tel Avivit përkon me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Hapësira e Bidenit për manovrim është e kufizuar. Është një faktor që Netanyahu, një aktor politik me përvojë, me siguri e kupton. Ky nuk është vetëm një siklet diplomatik, shkruan “CNN”. Sa herë që Biden refuzohej publikisht nga Netanyahu, perceptimi i fuqisë dhe prestigjit global amerikan do të ulej.