Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mosdeklarimi i pagës reale nga sipërmarrjet është shqetësim dhe problem i madh. Kreu i qeverisë i paralajmëroi se do të përballen me masa administrative dhe penale.
“Dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë edhe penale për grabitjen e pensioneve”, tha kreu i qeverisë.
Edi Rama: Kemi detyrimin si qeveri që jeta e tyre të jetë sa më e qetë, që kushtet e jetës së tyre të përmirësohen. Ata që krijojnë punë në këtë vend dhe që janë sipërmarrjet e paguajnë për punën kanë detyrimin që çdo qindarkë të çdo pagesë për çdo pension që i takon pensionistëve t’u shkojë pensionistëve. Është detyrim i çdokujt që merr një pagë. Në sektorin publik ky detyrim është i përmbushur sepse nuk varet nga sjellja e personit që paguhet, por derdhet direkt në arkë. Por, nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat.
Kemi një problem të madh, pavarësisht të gjithë përmirësimeve, me deklarimin e pagës reale. Një problem i madh që jemi të vendosur ta adresojmë dhe të mos presim përmirësimin gradual, por një përmirësim të shpejtë. Por që dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë edhe penale për grabitjen e pensioneve.
Kjo është grabitje, është fjalë e rëndë, është turp i madh, një sjellje që ka marrë statusin e dijes së sjelljes në shumë biznese, me një mungesë përgjegjshmërie që jam i sigurtë që kur ju thua, ose kur dëgjojnë fjalën grabitjen mund të ndihen të fyer, por është grabitje.
Duam të përcjellim përmes jush, një shqetësim dhe një apel dhe një ftesë për të krijuar një front të përbashkët në këtë punë. Në fund të ditës, ato para në masën më të madhe rikthehen në konsum dhe rigjenerojnë të ardhura të tjera. Është e padrejtë dhe e papranueshme, duhet të bëjmë atë që na takon secilit.