MENU
klinika

Komisioni Rregullator zbulon procesin

Si do bëhet votimi i emigrantëve?

21.10.2024 - 13:40

Anëtari i Komisionit Rregullator, Dritan Çaka thotë se janë ndërmarrë hapa konkrete për miratimin e akteve përfundimtare për mundësimin e votës për ata shtetas që jetojnë dhe punojnë jashtë Republikës së Shqipërisë.

Duke folur në një intervistë televizive për mënyrën e votimit të emigrantëve, ai deklaroi se gjithçka është në fazë drafti aktualisht dhe se mund të pësojë ndryshime në variantin final.

Çaka deklaroi se Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se do jetë KQZ nëpërmjet një platforme ku do të bëhen kërkesat nga shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe duan të votojnë në zgjedhjet e 2025.

“Duhet që i interesuari së pari të futet në aplikacionin e KQZ, të krijojë një llogari dhe përmes kësaj llogarie të aplikojë si kandidat për të qenë pjesë e kësaj liste.

Së pari duhet ngarkuar një dokument identifikimi shqiptar dhe duhet të ngarkojë edhe një dokument tjetër që të vërtetojë adresën e tij të banimit, një certifikatë pronësie, një vërtetim.

Në momentin që do uplodohen dokumentet, do bëhet edhe një skanim i pamjes së personit dhe çdo gjë është pa pagesë.

Do të bëhet ballafaqim i pamjes që aplikacioni do marrë nga dokumenti i identifikimit. Do fusë dhe numrin e celularit dhe adresën e email.

Brenda pesë ditëve KQZ do bëjë verifikimin e dokumentacionit dhe do më tej do të marrë një njoftim nëse kërkesa e tij është pranuar ose jo nga KQZ, për të qenë pjesë e listës përfundimtare të votuesve të KQZ.

Por në momentin që do bëhet pjesë e kësaj liste, automatikisht do të hiqet nga lista brenda Republikës së Shqipërisë.

KQZ do i dërgojë nëpërmjet shërbimit postar, nuk është vendosur nëse do të jetë privat apo shtetëror, të gjitha materialet zgjedhore, duke përfshirë fletën e votimit, zarfin e sekretuar dhe çdo material shpjegues mbi mënyrën se si do të procedojë.

Pas votimit, votuesi do e fusë fletën e votimit në një zarf të sekretuar. Pastaj në zarfin e madh që do të ketë emër, mbiemër dhe të dhënat.

Ky shërbim mund të dërgohet nga çdo shërbim postar në vendin ku jeton, por këtë shërbim votuesi do e paguajë.

KQZ i ka dërguar partive politike një propozim për shtyrjen me 20 ditë për afatin e regjistrimit si për koalicionet dhe për kandidatët.

Duhet të kenë më shumë kohë si KQZ dhe zgjedhësit për të marrë fletën e votimit dhe për ta dërguar atë në Shqipëri.

Dy qarqet për votimin elektronik, është diskutuar të jenë Durrësi dhe Elbasani, por ka parti politike që e kanë pranuar apo kanë dhënë propozime të tjera.

Parti si PS dhe LZHK që të jetë dhe Tirana, ose në pamundësi për të qenë të trija qarqet të jetë vetëm Tirana.”

Lidhur me transparencën për financimin e partive politike, ai deklaroi se KQZ ka mundësi për kontrollin e pjesshëm vetëm në fushatat zgjedhore dhe se KQZ mbi bazën e deklarimit të kandidatëve dhe partive politike.

Por sipas tij, se çfarë ndodh me pjesën tjetër të financimit nuk ka një kontroll dhe se KQZ i ka shumë të limituara mundësitë e kontrollit në këtë fushë.

“Kemi dëgjuar për futjen e parave të pista në fushata zgjedhore. KQZ ka kërkuar më shumë kompetenca për ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike.

Jo vetëm për të pasur më shumë auditues, por për të marrë edhe masa konkrete ndaj atyre që shkelin dispozitat në fuqi.

Roli i monitorimit mbi financimet e partive politike, është shumë i pakët. Pasi pjesa tjetër që nuk është e deklaruar, nuk mund të kontrollohet.”