Administrata tatimore do të fokusohet përgjatë këtij viti dhe në vijim në evidentimin e punonjësve jashtë listëpagesave të tatimeve apo atyre me nëndeklarim pagash. Përmirësimi i analizave dhe shkëmbimit të të dhënave me palë të treta, do të jetë mekanizmi i përdorur për të evidentuar të punësuarit në të zezë apo që nuk janë deklaruar me pagën reale.
Sa u takon punonjësve jashtë listëpagesave të deklaruara në sistem, Administrata Tatimore do të identifikojë grupimet më të larta të punës së mundshme informale midis statistikave të fuqisë punëtore, që tregojnë aktivitetin e vërtetë ekonomik dhe numrin e punëtorëve. Përputhja sistematike e të dhënave të palëve të treta Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Inspektorati Shtetëror i punës (ISHP) do të përdoret për të pasur efektivitet në identifikimin e tatimpaguesve të paregjistruar. Grupimi i madh i të ardhurave të deklaruara në ose nën pagën minimale gjithashtu do të jetë pjesë e auditeve dhe do të hetohen duke përdorur teknika analitike.
Në këtë drejtim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikon të marrë disa masa, siç është përcaktimi dhe krijimi i kontrolleve në sistemin e deklarimit të listëpagesave, që parandalojnë shmangien e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Krijimi dhe përditësimi i kritereve të riskut në Modulin e Riskut që kanë të bëjnë me shmangien e pagesës së kontributeve te sigurimeve shoqërore.
Po ashtu do të përdoret edhe marrja e informacioneve nga planet sektoriale mbi të dhënat dhe analizat e kryera si dhe si hap i fundit do të ushtohen organizohen kontrolle në subjekte me risk të lartë bazuar në përfundimet që rezultojnë nga kryqëzimi i të dhënave. Përpos tërësisë së masave të mësipërme, do të organizohet një fushatë e gjerë kombëtare sensibilizuese mbi punësimin formal. Synimi i fushatës është që gradualisht do të informojë qytetarët në lidhje me përfitimet.