MENU
klinika

Procedura e plotë që do të ndiqet

Si do të bëhen transferimet e nxënësve nga gjimnazi në shkollat profesionale!

14.10.2024 - 13:20

Kanë ndryshuar procedurat për transferimin e nxënësve nga gjimnazi në shkollat profesionale dhe anasjelltas.

Nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, bëhet me dije se kjo procedurë lejohet gjatë ndjekjes së klasës së 10-të, si edhe kur nxënësi ka përfunduar klasën e dhjetë.

“Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; të nenit 20, pika 5, të ligjit nr. 15/ 2017, datë 16.2.2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, Udhëzojmë: Në udhëzimin nr. 28 datë 16.10.2023, “Për kushtet dhe procedurat për transferimin nga arsimi i përgjithshëm (gjimnaz) në arsimin profesional dhe anasjellas”, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë vijon: a) Pika 1, e nenit 4, ndryshon si më poshtë vijon: Transferimi i nxënësit nga gjimnazi në arsimin e mesëm profesional dhe anasjellas, lejohet gjatë ndjekjes së klasës së 10-të, si edhe kur nxënësi ka përfunduar klasën e dhjetë. Ky rregull vlen edhe kur nxënësi ka ndjekur arsimin e përgjithshëm parauniversitar jashtë vendit”,-thuhet në udhëzim.

Sakaq, nxënësit, të cilët transferojnë studimet nga jashtë shtetit në Republikën e Shqipërisë, gjatë klasës së 10-të ose pasi kanë mbaruar klasën e 10-të, në arsimin e mesëm të përgjithshëm ose në arsimin e mesëm profesional, duhet të paraqesin programin mësimor të ndjekur në atë shtet, të përkthyer dhe të noterizuar me vulë apostile.

“Në shkronjën “d”, të pikës 2, të nenin 5, togfjalëshi “gjatë 3-mujorit të parë” zëvendësohet me togfjalëshin “gjatë klasës së 10-të”; d) Pika 3, e nenit 5, ndryshon si më poshtë vijon: “3. Nxënësve që transferohen nga gjimnazi në arsimin profesional, gjatë ndjekjes së klasës 10 ose në përfundim të klasës së 10-të, shkolla iu krijon mundësi për të plotësuar mangësitë teorike dhe praktike në kulturën profesionale”,-nënvizohet në udhëzimin e përbashkët.

Në këtë të fundit më tej bëhet me dije se periudha e plotësimit të mangësive është dy muaj, për nxënësit që transferohen në përfundim të klasës së 10-të dhe jo më shumë se dy muaj, për nxënësit që transferohen gjatë klasës së 10-të (në varësi të periudhës kohore të munguar në arsimin profesional). Gjatë periudhës së plotësimit të mangësive, mësuesi kujdestar, në bashkëpunim me mësuesit e teorisë dhe praktikës profesionale përkatëse, përgatitin një “plan për mbështetjen teorike/ praktike” të nxënësit të transferuar.

“Pas pikës 3, të nenit 6 shtohen pikat 3/1 dhe 3/2 me përmbajtje si më poshtë: “3/1. Përcaktimet e këtij udhëzim i fillojnë efektet për vitin shkollor 2024–2025 për transferimet nga gjimnazi në arsimin profesional dhe anasjelltas, vetëm për nxënësit që bëjnë transferime gjatë ndjekjes së klasës së dhjetë.”; “3/2. Për nxënësit që kanë përfunduar klasën e 10-të (dhjetë) në gjimnaz dhe kërkojnë të vazhdojnë klasën e 11-të (njëmbëdhjetë) në arsimin profesional dhe anasjellas, i fillon efektet në vitin shkollor 2025– 2026””,-thuhet në udhëzim.

Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar, ofruesit e arsimit dhe formimit profesional dhe institucionet arsimore parauniversitare. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.