MENU
klinika

Ç’është Starlink-u i Elon Musk

Si do të përfitojë Kosova nga shtrirja e shërbimeve të gjigantit amerikan?

25.10.2024 - 11:40

Internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme. Këto janë vetëm disa të mira që përfiton Kosova nga shtrirja e shërbimeve të gjigantit amerikan, Starlink, në territorin e vet.

Futja e Kosovës në hartën e Starlink-ut, njërës prej kompanive më novatore në botë, konsiderohet edhe si promovim i mirë për vendin.

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se shërbimet satelitore të kësaj kompanie do të funksionalizohen në dhjetorin e sivjetmë.

Kosova veçse mburret për mbulueshmërinë me internet në nivel rajonal. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 98.6 për qind e ekonomive familjare kanë pasur qasje në internet më 2023.

Operatorët aktualë në Kosovë ofrojnë internet kabllor, përfshirë internetin me fibër optike, i cili është prej më stabilëve dhe më të shpejtëve.

Satelitët e Starlink-ut

Starlink-u është kompani që ofron internet satelitor në mbi 100 shtete dhe territore dhe zotërohet prej kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, të miliarderit Elon Musk.

Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.

Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.

Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un është hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

“Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë. Një terminal i Starlink-ut ka në të njëjtin moment pamje në disa satelitë në hapësirë, me çka rritet edhe më shumë disponueshmëria e shërbimit”, ka thënë Duraku – Rizaj.

Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.

Disa të tjerë përmendin ushtrinë dhe misionet e huaja si konsumatorë potencialë. Dhe, jo vetëm ata.

Sipërmarrësi Darsej Rizaj, bashkëthemelues i Shkollës Digjitale dhe i kompanisë Starlabs, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se do ta shfrytëzojë këtë shërbim si privatisht, ashtu edhe për bizneset, sapo ai të jetë i qasshëm.

“Interneti është vegël kritike për neve, kështu që Starlink vetëm do të jetë ndihmesë shtesë, që të mos kemi kurrë ndërprerje të shërbimeve të internetit”.

Si do të funksionojë?

Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt.

Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë.

Rrezarta Duraku Rizaj ka thënë se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.

Sa do të jetë çmimi dhe shpejtësia e internetit?

Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet.

“Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, ka treguar Duraku-Rizaj.

Ajo ka thënë se kostot do të bëhen publike para lansimit në dhjetor, dhe për krahasim i ka përmendur çmimet në Shqipëri, ku Starlink-u u shtri në prillin e sivjetmë. Atje, blerja e pajisjeve në fillim kushton rreth 500 euro, ndërsa plani mujor më i lirë është rreth 65 euro.

Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.

Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro.

Për bizneset ka oferta për internet deri në 1 gigabit për sekondë, me çmime mujore deri në 1.100 euro.

Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.

Nami i Starlink-ut në Ukrainë

Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.

Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit.

Starlink-u ka bërë të ditur se po punon edhe për ofrimin e shërbimeve telefonike – por, deri atëherë, të gjithë sytë tek interneti!/REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat