MENU
klinika

Nga Mero Baze

Si mund të jetë Argita ende pedagoge për “drejtësinë”?

19.10.2024 - 22:00

Debati i fundit publik i Argita Berishës me gjyqtaren e babait dhe burrit të saj, Irena Gjoka, është e mjaftueshme për të kuptuar mes të tjerash se kush i “edukon” studentët e drejtësisë në Shqipëri.

Argita Berisha është pedagoge në Fakultetin shtetëror të Drejtësisë. Me egërsinë e trashëguar në kromozone nga babai i saj, del e shpif publikisht pa ju dridhur zëri për një gjyqtare me të cilën është në konflikt interesi, pasi i ka arrestuar babain dhe burrin për korrupsion madhor.

Vepra e saj e parë penale është shantazh mbi drejtësinë, pasi sulmon një gjyqtare që i ka arrestuar babain dhe burrin.

Por nuk jam duke u marrë me këtë çështje.

Ajo që është shqetësuese është se zonja në fjalë është pedagoge e drejtësisë.

Tani merreni me mend s çfarë shembulli i krijohet një studenti nga pedagogia e tij për drejtësinë.

Leksioni i parë është nëse një gjyqtare ju arreston babin a burrin, sulmojeni, shpifni, sajojini historia të së shkuarës dhe mos harroni gjithmonë që ka marrë dhe 500 mijë euro, por për këtë nuk duhen prova, mjafton të kesh vullnet ta thuash.

Leksioni i dytë është nëse kjo gjyqtarja ju padit për shpifje, dil e mbrohu, thuaj që më kallëzon ngaqë e demaskova.

Dhe leksioni i tretë dhe më i rëndësishmi, është që mos u dorëzo kurrë para drejtësisë. Nëse nuk ja del dot me shpifje, nëse nuk ja del dot me shantazhe, nëse nuk ja del dot duke e frikësuar gjyqtaren apo prokurorin, atëherë nxirr njerëzit në rrugë kundër tyre.

Nuk jam i qartë çfarë lënde jep Argita Berisha, pasi injorancën e saj nuk e duroj dot ta dëgjoj dy minuta në televizion e jo 90 minuta në leksion, por Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë duhet urgjent të marrë një vendim, të shtojë në kurrikulën e Fakultetit lëndën “Shantazhi mbi drejtësinë” dhe kjo të jetë pedagoge në këtë lëndë.

Nëse nuk e bëjnë dot, atëherë është në nderin e tyre ta heqin nga borderoja e Fakultetit, se nevojë për lekë nuk ka, pasi ka miliarda dhe vila në gjithë Evropën.

As Fakulteti nuk ka nevojë për një pedagoge që u jep studentëve modelin e linçimit publik mbi drejtësinë.

Do të mjaftonte gjuha e saj kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve me të cilët është në konflikt interesi, për të mos e lejuar kurrë të shkelë në një auditor, pasi fyen në thelb misionin e drejtësisë edhe duke e zënë në gojë, e jo më duke e marrë nëpër gojë, siç e ka në trashëgiminë e saj familjare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN