Sociologia Entela Binjaku, e ftuar në një intervistë televizive, tha se largimet masive nga Shqipëria lidhen kryesisht me faktorë ekonomikë, por gjithashtu ndikojnë konteksti social dhe kulturor. Ajo theksoi se shumë të rinj nuk ndihen të vlerësuar apo shpërblyer në vendin e tyre, dhe sistemi nuk përmbush pritshmëritë e tyre për një të ardhme më të mirë, duke i shtyrë të kërkojnë mundësi jashtë vendit.
“Mendoj se shkaqet janë të shumta, në pamje të para gjithsecili gjen ekonominë, që për pasojë lidhet me largimin drejt perëndimit por ka dhe shkaqe që lidhen me kontekstin social-kulturor ku jetojnë të rinjtë tanë që shpesh nuk përmbush dëshirat rinore për jetë aktive rinore dhe po ashtu ai nuk përmbush as pritshmëritë për të ardhmen.”
Binjaku vuri në dukje se varfëria dhe mungesa e perspektivave ekonomike janë ndër arsyet kryesore të largimeve. Ajo shtoi se sistemi arsimor shqiptar shpesh nuk i përgatit të rinjtë siç duhet për tregun e punës, duke kontribuar në dëshirën e tyre për emigrim. Aplikimet për lotarinë amerikane, që arrijnë deri në 200 mijë, janë një tregues i dëshirës së madhe për largim.
“Varfëria është burimi i parë dhe shkaqet e tjera janë të lidhura zinxhir dhe këtu rol të madh luan mentaliteti i të rinjve që kërkon nga jeta, frymëzohet nga historitë që gjen përreth dhe shpesh herë shikojnë se bashkëmoshatarët e tyre qe ikin.
Mendoj se ka të rinj e të reja që nuk pajtohen dhe me atë që ofron sistemi aktual arsimor dhe me këtë arsye me dritaren e parë që gjejnë mundësinë largohen. Tani jemi dhe në fazën që janë çelur aplikimet për lotarinë amerikane dhe numri dihet që shkon gati në 200 mijë, kjo shifër shpreh dëshirën e atyre që duan të largohen dhe shumica mendoj se janë mosha e re dhe e mesme. Pra sërish një krah aktiv pune që këtu nuk ndjehet i vlerësuar dhe shpërblyer.”
Sociologia shprehu shqetësim për pasojat negative të këtij fenomeni, si ulja e lindshmërisë, plakja e popullsisë, dhe dobësimi i ekonomisë rurale. Ajo theksoi se vendi po vuan nga mungesa e ekspertizës në fusha të ndryshme dhe se shumë të rinj nuk shohin arsye për të qëndruar në sistemin aktual. Sipas saj, pa ndryshime të dukshme në drejtimin e qeverisjes dhe perspektivave ekonomike, largimet do të vazhdojnë.
“Së pari për shkak të këtij largimi jemi duke vuajtur ekspertizën në shumë fusha. Së dyti shqetësohem për këtë numër të pakët të popullatës së vendit tim që nga viti në vit rrudhet duke reflektuar numrin e ulët të lindjeve, të plakjes. Shqetësohem për këtë largim sepse në sistemin tonë arsimor ndonjëherë të duket sikur studentët që e frekuentojnë vijnë sepse nuk kanë mundur dot të shkojnë diku tjetër, pra sikur pas tyre s’ka asnjë motiv thelbësor që ata të bëhen aq të mirë.
Më shqetëson fakti që shumë ekonomi të vogla por dhe të mëdha shfaqin shqetësim për të mos afruar dot shërbime dhe po ashtu e shoh që largimi ka bërë që dhe ekonomia rurale të jetë e dobët. Nëse nuk fillojmë të lëvizim në drejtimin e duhur për të pasur perspektiva më të mira anë qeverisje, nëse popullata nuk e ndjen se po shkon drejt lëvizjes së duhur mendoj se patjetër që ajo do kërkojë të lëvizë.”