Dragan Shormaz, deputet i Parlamentit të Serbisë (2001 – 2022), ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk do ta arrestojë terroristin Milan Radoiciq për sulmin në Banjskë, sepse ai vetë e ka urdhëruar që ta përgatisë shkëputjen e veriut nga Kosova.
“E di kush ka folur me Vuciqin dhe kush e ka bërë këtë, por janë disa gjëra që nuk dua t’i ndaj me publikun, sepse nuk bën të publikohen. Unë saktësisht e di që në çdo moment çfarë ka bërë Vuciqi lidhur me Banjskën dhe në çfarë ka rënë pastaj”, ka thënë ish-deputeti i Vuciqit.
Ai më tej ka theksuar se Vuciqi ka pasur qëllim që ta organizojë shkëputjen e 4 komunave veriore nga Kosova.
“Ky ka qenë qëllimi. Përndryshe, çfarë prisnin aty 24 xhipa me përplot municion në Banjskë, e cila ka 5 shtëpi, një manastir dhe banjën ku punojnë 60 njerëz? Kjo ka qenë pika kontaktuese nga e cila është dashur të nisen dhe t’i bllokojnë të gjitha rrugët në veri”, ka shtuar Dragan Shormaz në intervistën e dhënë dje në televizionin serb KTV i cili është tash kryetar i Këshillit Euroatlantik të Serbisë.
Shormaz më pas e ka shtruar pyetjen se “pse nuk e arreston Radoiciqin, nëse Radoicici nuk është pajtuar me urdhrin e Vuciqit?”.
“Përndryshe, nëse Radoiciqi do ta kishte bërë të gjithën vetë, pse atëherë nuk e arreston Vuciqi atë? Pse po frikësohet nga kjo? Le ta gjykojë në Serbi!”, ka konkluduar ai.
“Pse qenka problem që Radoiciqi të dalë para gjykatës? Ai vetë e ka pranuar se çfarë ka ndodhur! Katër viktima të këtij konflikti janë – tre serbë dhe një polic shqiptar”, ka theksuar Dragan Shormaz