Ashtu siç kishin njoftuar, opozita doli sot sërish në protestë, në atë që ajo e quan mosbindje civile. Ndryshe nga tubimi i 7 tetorit, sot (29 tetor) deputetët e PD dhe mbështetës demokratë u vendosën në 6 kryqëzime kryesore të Shqipërisë, duke bllokuar rrugët dhe paralizuar qarkullimin.
Deputetët e PD dhanë mesazhin se qëllimi i kësaj protestë është realizimi i kërkesave të tyre, qeveria teknike me qëllim zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe lirimin e Sali Berishës.
Në Tiranë, Elbasan dhe në Milot situata në disa momente u tensionua, ndërsa protestuesit dogjën goma, shkurre dhe kosha mbeturinash.
Policia bëri disa herë thirrje që rrugët të lirohen, pasi bllokimi i tyre përben vepër penale. Kjo është konsideruar nga deputetët e PD si provokim që po i bëhet qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.
Në Tiranë, sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe deputeti Asllan Dogjani u përplasën me policinë, duke i kërkuar atyre që të distancohen dhe të mos provokojnë.
Madje Flamur Noka paralajmëroi se nëse policia nuk tërhiqet nga provokimet, qytetarët do t’i drejtohen Surrelit.
Në fund protesta u mbyll dhe qytetarët u shpërndanë në mënyrë paqësore.