MENU
klinika

Tryeza ndërqeveritare në Luksemburg

VOA: Shqipëria me përparim drejt BE-së, por sfidë mbetet lufta ndaj korrupsionit

09.10.2024 - 20:24

Bashkimi Europian pritet të mbajë në 15 tetor, në Luksemburg, Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila shënon dhe çeljen e grupkapitujve të parë në negociatat e anëtarësimit. Ky grupkapitujsh përfshin mes të tjerash gjyqësorin, të drejtat themelore dhe politikat kundër korrupsionit.

Ekspertët e njohur për çështjet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Miriam Kosmehl dhe Nicholas Whyte thonë se vendimi i Brukselit pasqyron plotësimin e kritereve të vendosura për Shqipërinë për këtë fazë të procesit integrues, megjithatë vendi duhet të japë më shumë rezultate, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e reformës në drejtësi.

10 vjet pasi Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat, Bashkimi Evropian miratoi hapjen e bisedimeve për grupkapitujt e njohur si “Themelorët”, që mbulojnë çështjet e shtetit të së drejtës dhe mund të përcaktojnë ritmin e përparimit të përgjithshëm drejt anëtarësimit.

BE-ja duhet ta kishte marrë këtë vendim për Shqipërinë më parë, thotë Dr. Nicholas Whyte, drejtor Institutit të konsulencës, APCO me bazë në Bruksel.

“Do të doja ta shihja këtë proces të lëvizte shumë më shpejt. Mendoj se Shqipëria i ka kryer me kohë të gjitha detyrat e duhura të shtëpisë”, shprehet Whyte.

Miriam Kosmehl, eksperte e lartë për Evropën Lindore dhe Fqinjësinë Europiane pranë fondacionit ‘Bertelsmann Stiftung’ me bazë në Berlin thotë se vendimi erdhi pas punës që institucionet shqiptare bënë në përmbushjen e detyrimeve për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

“Shqipëria mobilizoi shumë burime gjatë procesit të shqyrtimit analitik në përgatitjet për procesin e bisedimeve. Komisioni Europian ka paraqitur raportet e kësaj analize mbi reformat që përmenden te Grupkapitujt “ Themelorët” si reforma e drejtësisë, Administratës Publike dhe institucioneve demokratike. Këto janë dhe baza për reforma të mëtejshme. Është gjë e mirë që gjërat po shkojnë përpara”, shprehet ajo.

Ndërsa Tirana zyrtare përgatitet për tryezën ndërqeveritare të Luksemburgut, ekspertja e lartë Kosmehl vë në dukje bilancin e sistemit gjyqësor, duke përmendur ndryshimet themelore, por ajo thotë se sfidë për vendin mbetet lufta ndaj korrupsionit.

“Kjo tabllo nuk do të ishte e plotë nëse nuk pëmenden dy raporte të kohëve të fundit. I pari nga Komisioni Europian, raporti mbi shtetin e të drejtës, ku përfshihet dhe Shqipëria dhe tjetri nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi klimën e investimeve. Të dy nxjerrin në pah se korrupsioni mbetet ende problem mbizotërues në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit. Në këtë raport, struktura anti – korrupsion përmendet për zhvillime pozitive, por aty thuhet gjithashtu se ka mungesë burimesh njerëzore dhe financiare. Ndaj, mendoj se duhen parë të dyja anët”, thotë Kosmehl.

Për ish këshilltarin e lartë të CEPS, Qendra Europiane për Studime Politike, puna më e vështirë për Shqipërinë mbetet zbatimi i reformës në drejtësi.

“BE-ja nuk është e marrë. Ajo nuk do të lejojë përparimin në bisedime nëse nuk ekziston ndenja e vërtetë se ky është një rrugëtim me vështrimin përpara. Është e qartë se sfidat më të mëdha me të cilat ndeshet Shqipëria janë në fushën e drejtësisë. Jemi në një fazë ku mbetet shumë për të bërë. Tani ne shohim përpjekje të sinqerta nga autoritetet shqiptare për përmirësimin e gjendjes, në mënyrë që të krijohet një sistem i kënaqshëm drejtësie. Dhe siç e dini, gjatë 10 viteve të fundit ka patur shumë hapa seriozë në këtë drejtim, falë reformave në sistemin e drejtësisë”, shprehet Whyte .

Shqipëria do të vazhdojë drejt BE-së e ndarë nga Maqedonia e Veriut. Vendet anëtare nuk ranë dakord për hapjen e grupkapitujve me Shkupin pasi nuk ka bërë ndryshimin e Kushtetutës për futjen e pakicës bullgare si popull shtet formues, një kusht i Brukselit.

Ekspertët thonë se Shkupi po paguan një çmim të lartë për marrëdhëniet dypalëshe.

“Besoj se ndarja e tyre është gjë e mirë, me qëllim që të ecet përpara, mirëpo fakti që Maqedonia e Veriut pengohet për shkak të një çështje dypalëshe, e cila nuk ka lidhje me procesin e anëtarësimit është problematik”, thotë Kosmehl .

“Më vjen shumë keq. Më duket se ky vendim që u mor për shkaqe të pastra politike, por jo objektive. BE-ja ka kërkuar pak si shumë nga Maqedonia e Veriut, duke përfshirë ndryshimin e emrit të vendit dhe ndryshime kushtetuese. Dhe është turp, sepse mesazhi që duket se dërgohet është se sado të ndryshoni, ne prapë do të kërkojmë akoma më shumë”, tha Whyte .

Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe udhëheqës të tjerë kanë vënë si objektiv vitin 2030 për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Por sa i arritshëm është ky objektiv?

“Nëse ky qëllim do të realizohet ose jo, kjo varet nga vullneti politik i të dyja palëve”, vlerëson Kosmehl.

“Do të habitesha po ta shihja Shqipërinë shtet anëtar të BE-së në vitin 2030, por atëherë mund të dime se kur mund të bëhet anëtare. Sa i takon Maqedonisë së Veriut, kjo varet nga shpejtësia e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tanishme politike. Malin e Zi dhe Serbinë i shoh në pozita të ngjashme me Shqipërinë, ndërsa Bosnja dhe Kosova, mendoj se janë disi larg gjendjes në Shqipëri”, tha Nicholas Whyte.

Sipas ekspertëve, afro tre vitet e fundit dhe veçanërisht pas agresionit rus kundër Ukrainës vërehet rigjallërim i interesit të BE-së për Ballkanin Perëndimor sepse zgjerimi po konsiderohet si investim jo vetëm për paqe, por dhe për qëndrueshmëri dhe mirëqenie në rajon./voa