Ministri Taulant Balla, njëherazi edhe drejtuesi politik i PS për diasporën, i ftuar në një intervistë televizive ka shpjeguar se si do të funksionojë vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare 2025. Balla tha se fleta e votimit do u dërgohet emigrantëve shqiptarë me postë. Ndërkohë, Balla sqaroi se KQZ do të ndërtojë infrastrukturën dhe të gjithë emigrantët me dokument të vlefshëm biometrik do duhet të regjistrohen në platformë që të kenë mundësi më pas të votojnë.
Vota do të kthehet sërish me postë, ndërkohë vota e emigrantëve do të llogaritet në vendin tonë në qarkun ku ata rezultojnë se kanë pasur vendbanimin.
Po ashtu, Balla tha në një emision televiziv se po punohet që nga viti 2025 të gjitha shërbimet konsullore të ofrohen online.
“Kodi Zgjedhor i ka shuar këtë dilema. Më 26 korrik Kuvendi votoi me një shumicë të madhe ndryshimet që i japin mundësinë KQZ të ngrejë infrastrukturën dhe të organizojë një proces votimi i bazuar në dërgimin me postë të fletës së votimit. Do duhet që çdo vëlla e motër shqiptar që jeton jashtë territorit, që disponon një dokument të vlefshëm biometrik deri në momentin e regjistrimit, të regjistrohet në një platformë e cila do të ngrihet nga KQZ. Ata që ndihen më mirë me arritjet e qeverisë janë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë, se ata kanë vuajtur më shumë lajmet negative që vinin nga Shqipëria, ata sot janë më krenarë se kushdo tjetër. Shqipëria është një vend më i respektuar dhe sa herë që vijnë në Shqipëri për pushime është një patriotizëm që duhet vlerësuar, patriotizëm është të konsumosh prodhime bujqësore shqiptare apo të bësh pushime në atdhe. Po punojmë që deri në fund të viti të ardhur çdo shërbim konsullor t’u jepet online. Votën e diasporës e kemi pasur gjithmonë prioritet”, tha Balla