Kryekomisioneri Ilirian Celibashi ngre alarmin tek partitë politike se koha për të çuar dhe për të marrë zarfin me votën e emigrantëve është e pamjaftueshme.
Pas konsultimit të KQZ më operatorët postar është vërejtur se nevojiten mimimalisht 30 ditë për këtë proces në rast të kundërt rrezikohet që vota e emigrantëve të bëhet e pavlefshme, për shkak se zarfi mund të mos vijë në kohë.
Në dokumentin dërguar partive politike që A2CNN disponon shpjegohet se pse vota e emigrantëve pa ndryshime në kodin zgjedhor mund të dështojë për shkak të afateve.
“Të gjithë ofruesit e shërbimit postar ndërkufitar bënë me dije se koha që ju duhet për dërgimin e fletëve të votimit nga Shqipëria, në adresat përkatëse te votuesve jashtë vendit është 45 dite.
Koha më e shkurtër, por qe do ta vinte gjithsesi në vështirësi/pasiguri procesin është 30 ditë. Sikurse ju e dini afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidateve, se bashku me kohën për prodhimin e fletëve te votimit datojnë rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Në çdo rast jo më parë se 30 ditë përpara. Të gjithë operatorët përfshi edhe atë publik vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30 – 45 ditë. Praktikat e vendeve të tjera ku disa prej këtyre operatoreve janë angazhuar në votimin nga jashtë konfirmojnë afatin e dërgimit dhe te kthimit te fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhe kohore jo më të pakët se 45 ditë.”