Përpjekja për të paraqitur si fitore vendimin e Gjykatës Antikorrupsion për heqjen e masës “arrest shtëpie” ndaj Berishës tregon më shumë për nevojën e tij për të krijuar idenë se diçka po ndryshon, se sa rëndësinë e të qenit “i lirë”.
Kam shkruar më parë se për Berishën, masa e arrestit shtëpiak ishte një privilegj, që ai e prodhoi me vetëdije. Në një farë mënyre, ajo e vendoste atë në një pozicion më të rehatshëm dhe më të favorshëm politikisht si “viktimë”.
I mbyllur në shtëpi, në moshën që ka, Berisha e portretizonte veten si viktimë e drejtësisë, duke përfituar nga rasti për të komunikuar publikisht nga “penxherja e tij”. Lirimi I tij është kufizim I këtij privilegji
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi masën e detyrimit për paraqitje dhe më pas arrestit shtëpiak, i kufizonte atij hapësirat për të sfiduar drejtësinë. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, që tani e ka shfuqizuar masën e arrestit, duket më shumë si një qokë politike sesa një vendim i bazuar në logjikë juridike. Por meqenëse duhet të respektojmë vendimet e gjykatave, i takon SPAK-ut të shqyrtojë ankimimet.
Ndryshe nga shumë teori konspirative, nuk besoj që Edi Rama ka ndikuar për të siguruar lirimin e Berishës. Ndikimi i tij në drejtësinë e re është minimal dhe ai vetë është përballur me dënime të rëndësishme ndaj deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij. Për më tepër, drejtësia ka treguar se është më e pavarur nga sa pretendohet, shpesh duke vepruar pa marrë parasysh interesat e palëve politike.
Çështjet gjyqësore me të cilat po përballet Berisha, janë vetëm në fillim, dhe akuzat që rëndojnë mbi të kanë dënime të rënda, që variojnë nga 4 deri në 12 vite burg. Perspektiva për një gjyq mbi 21 Janarin e vendos atë në një pozitë edhe më të pafavorshme, me rrezikun e një dënimi që do ta mbajë përjetësisht në burg, nëse gjykimi përfundon ndërkohë që është gjallë.
Politikisht, si për qeverinë ashtu edhe për opozitën, Berisha jashtë arrestit të shtëpisë, është një opsion më i mirë. Ai duket si një “gjeneral” i një ushtrie të vdekur, që zvarritet për të ruajtur iluzionin e një opozite të gjallë. Por ky është një fat që opozita ia ka shkaktuar vetes, ndërsa kundërshtarët thjesht përfitojnë nga situata.
Lirimi i tij gëzon edhe militantët, por kryesisht sepse nuk janë më të detyruar të mblidhen çdo pasdite përpara selisë së SHQUP. Ndërkohë, procesi gjyqësor kundër tij vazhdon dhe, për shumëkënd, Berisha ka humbur një alibi të rëndësishme: atë të të qenit “i persekutuar”. Tashmë, humbja e tij në zgjedhje do të vijë edhe mue e thellë, meqë është formalisht “i lirë”. Kjo i jep procesit një nuancë të re. E bën më të besueshëm.
Por është e qartë se Sali Berisha nuk ka fituar asnjë liri. Ai thjeshtë ka humbur një alibi. Alibinë se “humbi” ngaqë ishte në arrest shtëpie.
Fundja, edhe të dënuarve me pushkatim, iu heqin prangat para ekzekutimit .