MENU
klinika

A do t’i shkurtojë përfitimet sociale për refugjatët ukrainas të luftës?

CDU kryeson sondazhet për të udhëhequr qeverinë e ardhshme gjermane

25.11.2024 - 22:00

CDU kryeson sondazhet për të udhëhequr qeverinë e ardhshme gjermane, Por a do t’i shkurtojë ajo përfitimet sociale për refugjatët ukrainas të luftës?

Brenda partive konservatore CDU dhe CSU dëgjohen zëra që duan të shkurtojnë përfitimet sociale, nëse Unioni CDU/CSU fito zgjedhjet e shkurtit 2025: Synimi heqja e kontributit social, të ashtuquajturit “paratë për qytetarin” për personat që kanë mbetur të papunë për një periudhë më të gjatë kohore, si dhe integrimi më i mirë i më shumë se 5.5 milionë të papunëve afatgjatë në tregun e punës. Partia Kristiandemokrate (CDU) dhe ajo Kristiansociale (CSU)aktualisht kryesojnë sondazhet. Kreu i CDU dhe kandidati për kancelar Friedrich Merz ka shans të mirë për të zëvendësuar Olaf Scholz nga SPD si kancelar pas zgjedhjeve të reja të planifikuara për më 23 shkurt.

Qëndrime nga CDU

Por konservatorët gjithashtu kanë vënë në dyshim, nëse ukrainasit që vijnë në Gjermani duhet të vazhdojnë të marrin “paratë për qytetarin” në vend të përfitimeve më të ulëta, si i marrin azilkërkuesit e tjerë. Pas sulmit agresor rus në Ukrainë rreth 1000 ditë më parë, shumë ukrainas erdhën në Gjermani. Deri më tani, ata kanë marrë përfitime sociale në përputhje me ligjet evropiane. Megjithatë, “udhëzimet për rregullimin e fluksit masiv” nuk specifikojnë saktësisht se sa duhet të jenë këto.

Zëdhënësi për politikat sociale të grupin parlamentar të CDU/CSU, Stephan Stracke (CSU), tha për DW, se “kushdo që ikën nga lufta dhe dhuna ka të drejtën e mbrojtjes nga ne. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ka të drejtë automatike në Gjermani për paratë e qytetarit”. Në vend të kësaj, sipas Stracke, refugjatët e rinj ukrainas të luftës që hyjnë në vend duhet “fillimisht të marrin përfitimet që marrin azilkërkuesit”.

100 euro më pak?

Aktualisht në Gjermani jetojnë rreth 1.2 milionë refugjatë ukrainas, rreth 530,000 prej të cilëve janë klasifikuar si të punësueshëm nga Agjencia Federale e Punësimit në maj dhe për këtë arsye kanë të drejtën e përfitimit qytetar. Kjo do të thotë se ata marrin deri në 563 euro në muaj dhe shteti u mbulon edhe qiranë dhe shpenzimet e ngrohjes. Ka një subvencion shtesë edhe për fëmijët në bazë të moshës. Rreth 360,000 nga refugjatët ukrainas në Gjermani janë fëmijë. Kurse përfitimet për azilkërkuesit janë dukshëm më të ulëta deri në 460 euro në muaj.

Në të kaluarën ka pasur thirrje nga radhët e CDU dhe CSU për të shkurtuar përfitimet sociale për ukrainasit në Gjermani. Dy vjet më parë, kreu i CDU, Friedrich Merz e vuri në pikëpyetje mbrojtjen e ukrainasve: “Tani po përjetojmë turizëm social nga këta refugjatë: në Gjermani, përsëri në Ukrainë, në Gjermani, përsëri në Ukrainë,” tha Merz për transmetuesin “Bild-TV”. ” Merz u kritikua shumë për këtë. Më pas ai deklaroi se i vinte keq që përdori termin “turizëm social”.

“Mbështetje dhe kërkesa”

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, Gjermania ka më shumë vështirësi në integrimin e ukrainasve në tregun e punës. Ky është rezultati i studimeve të Institutit për Kërkimin e Tregut të Punës dhe Profesionit (IAB) në Nuremberg. Vetëm 27 për qind e ukrainasve në Gjermani kanë gjetur punë deri në mars të këtij viti, krahasuar me 57 për qind në Lituani dhe 53 për qind në Danimarkë. “Gjermania padyshim nuk ka qenë veçanërisht e suksesshme deri më tani në futjen e refugjatëve ukrainas në punë,” tha politikani i CSU-së Stracke. “Vendet e tjera evropiane e bëjnë këtë shumë më mirë.” Shifrat më të dobta se në Gjermani i ka Norvegjia, Spanja dhe Finlanda, ku vetëm një në pesë ukrainas ka gjetur punë.

Sipas CDU/CSU dhe Alternativës për Gjermaninë (AfD) pjesërisht ekstremiste të krahut të djathtë, numri i lartë i refugjatëve që jetojnë me asistencë sociale është pjesërisht për shkak të nivelit të përfitimeve. “Kjo është arsyeja pse ne në Gjermani duhet ta bëjmë përsëri më të vlefshëm parimin e mbështetjes dhe kërkesës”, kërkoi Stracke.

Burokracia si pengesë

Studimi i IAB tregon gjithashtu se përqindja e ukrainasve të punësuar rritet vazhdimisht në të gjitha vendet evropiane – dhe se ka pak prova se kjo lidhet me nivelin e mbështetjes shtetërore. Sipas IAB, barrierat gjuhësore janë një pengesë më e madhe sesa përfitimet sociale. Një faktor tjetër i rëndësishëm është se kërkesa për punëtorë ekziston kryesisht në sektorin me paga të ulëta.

Iryna Shulikina nga shoqata “Vitsche” gjithashtu thekson pengesat burokratike për refugjatët ukrainas që kërkojnë punë në Gjermani. Shoqata me qendër në Berlin, do që zërat ukrainas të dëgjohen në Gjermani. “Kur vijnë këtu, ata e kanë të vështirë të njohin diplomën”, tha Shulikina për DW. Sipas IAB, rreth 72 përqind e refugjatëve ukrainas kanë ose një diplomë universitare ose një kualifikim profesional – më shumë se refugjatët e tjerë ose fuqia punëtore gjermane në përgjithësi.

Shulikina tregon për profesionistët mjekësorë, të cilëve iu deshën dy vjet e gjysmë para se të lejoheshin të punonin: duhej të aplikonin për një punë, të miratonin dokumentet dhe kualifikimet e tyre, të bënin testet e kërkuara dhe të mësonin gjuhën. “Është një sfidë e vërtetë”, thotë ajo. Duke pasur parasysh mungesën e punëtorëve të kualifikuar në këtë vend, shumë kompani kërkojnë gjithashtu që procedurat të thjeshtohen.

Temë fushate zgjedhore: paratë për qytetarin

Nëse një qeveri e mundshme e udhëhequr nga Unioni mund të zbatojë ndryshime në përfitimet e qytetarëve do të varet gjithashtu nga partnerët e saj të koalicionit: Socialdemokratët (SPD) e kundërshtojnë këtë, ndërsa anëtarët kryesorë të Demokratëve të Lirë (FDP) kanë shprehur tashmë mbështetjen e tyre për një riklasifikim të refugjatëve ukrainas të luftës. Megjithatë, grupi parlamentar i FDP-së nuk ka dashur të shprehet i pyetur nga DW lidhur me këtë.

Shulikina beson se debati aktual politik për paratë e qytetarëve po zhvillohet kryesisht si pasojë e fillimit të fushatës zgjedhore. Ajo nuk beson se “paratë për qytetarin” i pengojnë refugjatët ukrainas të punojnë. Të gjithë refugjatët që ajo njeh, të cilët merrnin përfitime qytetare, donin t’i jepnin fund kësaj sa më shpejt që të ishte e mundur. “Është shumë poshtëruese dhe e bezdisshme. Je shumë e varur dhe nuk shikohesh si pjesë e barabartë e shoqërisë.” Duhet të justifikosh çdo cent që shpenzon, u shpreh ajo. “Nuk mendoj se ka shumë njerëz që duan të marrin paratë e qytetarëve.

“Ata kanë humbur gjithçka”

Lyudmyla Mlosch, kryetare e Shoqatës së Përgjithshme të Ukrainasve në Gjermani (ZVUD), shkon një hap më tej. Ajo thotë se shumë ukrainas as që duan të jenë këtu. “Unë njoh shumë njerëz që janë këtu. Dhe ata ëndërrojnë të kthehen në shtëpi. Por ata nuk kanë shtëpi. Ata nuk kanë asgjë, ata kanë humbur gjithçka. Sigurisht që kanë nevojë për këtë mbështetje.”

Megjithatë Mlosch sugjeron diferencim të mëtejshëm. Për shembull, refugjatët nga rajonet në Ukrainën lindore, të cilat janë nën bombardime pothuajse të vazhdueshme nga Rusia, janë më të varur nga ndihma e qeverisë se të tjerët. Po kështu, të moshuarit apo të sëmurët apo ata që nuk kanë kursime. “Nuk duhet t’i vendosësh në të njëjtin nivel”, thotë ajo për DW. Veçanërisht të rinjtë që mund të punojnë nuk duhet të marrin aq para sa refugjatët e tjerë, thotë ajo./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


DW: Qytetarët të pakënaqur me qeverinë!

Do të ketë zgjedhje të parakohshme në Gjermani?

Italia mund të prishë të gjithë planet e bllokut

BE në udhëkryq, emrat e liderëve të rinj mbeten mister