MENU
klinika

Analiza: Si do të reagojë Putin

Vendimi i Joe Biden për të lejuar Kievin të godasë Rusinë

18.11.2024 - 10:01

Vendimi i Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa perëndimore me rreze të gjatë për të goditur brenda territorit rus, shënon një zhvendosje mjaft të rëndësishme politike nga Uashingtoni.

Megjithatë, ky vendim pritet të sjellë pakënaqësi dhe kërcënime të reja nga Moska në një kohë pasigurie të shtuar, ndërsa Donald Trump përgatitet të marrë presidencën e SHBA.

Sipas Sky News, Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse fuqitë perëndimore do të lejonin përdorimin e raketave të tyre balistike kundër Rusisë, do të ishte si të “luaje me zjarrin”, madje duke rrezikuar konfliktin global.

Zyrtarët e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në të kaluarën kanë shmangur të ndikohen nga retorika agresive e Moskës, e cila kryesisht synon frikësimin. Megjithatë, deri më tani ka pasur hezitim, kryesisht nga Uashingtoni, për të lejuar Kievin të përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi, të njohura si Sistemet e Raketave Taktike të Ushtrisë, ose ATACMS, për të goditur jashtë kufijve të tij.

Ndryshimi i planit vjen për shkak të vendimit të Koresë së Veriut për dërgimin e mijëra ushtarëve të për të luftuar përkrah Rusisë. Sipas New York Times, objektivat e parë të raketave amerikane në tokën ruse ka të ngjarë të jenë trupat ruse dhe koreano-veriore që luftojnë në rajonin e Kurskut.

Megjithatë, siç thekson Sky News, edhe pse përdorimi i raketave amerikane për goditje në territorin rus sinjalizon një forcimin e mbështetjes perëndimore, analistët vlerësojnë se vetëm kjo lëvizje nuk do të ndryshojë në mënyrë dramatike rrjedhën e luftës. Megjithatë, kjo do t’i mundësojë Ukrainës të godasë objektivat kritike ushtarake që Moska i ka vendosur qëllimisht larg vijave të frontit, siç janë depot e raketave dhe dronët e përdorur kundër Kievit.

Përtej aspektit ushtarak, siç thekson Sky News, vendimi i SHBA-së i dërgon një mesazh të fortë politik Kremlinit: Se Uashingtoni është i vendosur të kundërshtojë paralajmërimet ruse për pasoja të rënda dhe të mbështesë Kievin.

Masa vjen pas muajsh presioni intensiv nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të rritur mbështetjen ushtarake. Pyetja kritike tani është se si do të reagojë Vladimir Putin kur një raketë amerikane vret ushtarë rusë në vendin e tij.

Moska nuk dëshiron një konflikt të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, me fuqi më të madhe ushtarake dhe bërthamore. Megjithatë, Kremlini mund të përshkallëzojë më tej fushatën e tij të sabotimit dhe formave të tjera të luftës hibride në të gjithë Evropën.

Një pyetje e dytë e rëndësishme ka të bëjë me qëndrimin që do të mbajë Donald Trump , i cili është zotuar të përfundojë shpejt luftën. Pavarësisht strategjisë së tij të paqartë, republikani ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj furnizimit të vazhdueshëm të Ukrainës me armë amerikane. Ndoshta kjo do ta motivojë Kievin që të përfitojë sa më shpejt nga mbështetja aktuale nga Uashingtoni.