Kandidatja demokrate për president Kamala Harris paralajmëroi votuesit të enjten se rivali i saj republikan, Donald Trump, do të shkurtojë programet e kujdesit shëndetësor të përballueshëm, ndërsa Trump thotë se ka një plan tjetër në mendje. Në një konferencë të shkurtër për shtyp, Harris u kujtoi votuesve se ish-presidenti u përpoq pa sukses të shfuqizonte Aktin e Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm, të ashtuquajturin Obamacare, dhe ajo tha gjithashtu se komentet e tij në tubimin e së mërkurës ishin fyese për gratë. “Në këto zgjedhje, kujdesi shëndetësor është në linjë,” tha Harris në Madison, Wisconsin, përpara se të udhëtonte në Arizona dhe Nevada. Trump ka reaguar menjëherë në rrjetin e tij social Truth Social dhe ka shkruar se nuk ka dashur asnjëherë të heqë qafe programin. Në fushatën e 2016-ës, Trump vazhdimisht premtoi të anulonte Obamacare dhe pas zgjedhjes së tij në presidencë, kur Dhoma e Përfaqësuesve votoi për ta bërë këtë, ai mirëpriti përfaqësuesit republikanë në Shtëpinë e Bardhë për një festë.
Por një tentativë për votim në Senat në korrik 2017 dështoi kur senatori i ndjerë John McCain refuzoi votën vendimtare. “As që e përmenda kurrë se do ta bëja këtë, as që e kisha menduar këtë”, u përgjigj Trump të enjten. Obamacare ofron kujdes shëndetësor për 40 milionë amerikanë. Trump e ka minimizuar këtë çështje gjatë kësaj fushate, megjithëse ai përsëriti të enjten se si president do të inkurajonte siguruesit të mbulonin koston e trajtimeve të fertilizimit in vitro (IVF). Kur u pyet për kujdesin shëndetësor në një debat televiziv me Harris më 10 shtator, ai përsëriti pretendimin e tij se “Obamacare është kujdes i keq shëndetësor”.