Monedha europiane ka humbur afro 7 pikë që nga fillimi i vitit, dhe pritshmëritë për rikuperim, një muaj para festave të fundvitit, janë zbehur në treg. Vlera e euros ka shkuar aktualisht në 97.9 lekë.
Edhe monedhat e tjera kanë humbur pikë kundrejt monedhës sonë, ku paundi britanik këmbehet 117.8 lekë dhe franga zvicerane 105.3 lekë. Ndërkohë, dollari është forcuar këtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA, duke fituar më shumë se 3.5 pikë që nga data 5 nëntor.
Luhatjet e kursit valutor kanë qenë të pritshme nga agjentët e tregut, të cilët edhe për muajin dhjetor presin që tregu të ruajë këtë prirje.
Paratë që do të sjellin emigrantët shqiptarë dhe turistët gjatë festave, por edhe shkëmbimet tregtare, mund të ndikojnë në ecurinë që ka shfaqur muaji nëntor.
Gjatë këtij muaji, Banka Qendrore ka ndërhyrë në treg duke blerë euro nga bankat tregtare, por efekti për të ruajtur kursin e qëndrueshëm nuk është reflektuar në kursin valutor.
Këtë periudhë, përfaqësues të FMN-së dhe Bankës Botërore kanë qenë në Shqipëri, për të takuar Guvernatorin dhe Ministrin e Financave për kontrollin e ciklit të kursit valutor, ndërsa shoqatat e biznesit kanë kërkuar që transaksionet brenda vendit të bëhen vetëm me lekë.