MENU
klinika

"Sa më parë!"

Kurti i gatshëm për mbledhje të re qeveritare me Shqipërinë

18.11.2024 - 17:51

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk organizojnë më mbledhje të përbashkëta që kur kryeministri Edi Rama anuloi takimin e qershorit 2023 për shkak të qëndrimeve të homologut Albin Kurti kundrejt ndërkombëtarëve dhe situatës në veri të Kosovës.

Por duke folur të hënën (18 nëntor) nga Prishtina, kryeqeveritari Kurti shprehu gatishmërinë për një takim të radhës me kolegët shqiptarë.

Ai e bëri deklaratën krah kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski, me të cilin kryesoi një mbledhje të dytë të përbashkët ndërqeveritare gjatë ditës.

“Me Shqipërinë i kemi mbajtur dy mbledhje tashmë. Jemi barazuar, sepse mbajtëm të dytën edhe me Maqedoninë e Veriut. Jam shumë i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që sa më parë të mbajmë edhe një mbledhje me Shqipërinë. 58 marrëveshje i kemi bërë me Shqipërinë në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre, pavarësisht se nuk kemi mbledhje të tretë këtë mandat, ka shkuar jashtëzakonisht mirë, më mirë edhe se në të gjitha mandatet e mëhershme,” tha z. Kurti.

Qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut firmosën ditën disa marrëveshje shumëdrejtimëshe, nga ekonomia te arsimi, infrastruktura, shëndetësia, energji, turizmi dhe fqinjësia e mirë.

“Takimi ynë ishte produktiv dhe i mbushur me dialog të sinqertë, që është parakusht për përforcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. Diskutuam për të ardhmen europiane. Jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe BE. Takimi ynë ishte për të siguruar jetë më të mirë për qytetarët e vendeve tanë,” tha z. Mickoski.

Kryeministri Kurti komentoi edhe problemet e ngritura së fundmi në Maqedoninë e Veriut rreth ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare, siç është shqipja. Kreu i qeverisë kosovare deklaroi se për këtë shkak nuk i druhet një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk besoj se dallimet ndëretnike shkaktojnë konflikt. Mund të ketë dëshira, por nuk besoj se ka më pikëpamje të etabluara sikurse ishin në vitet ’90, të nxitura nga Beogradi.

Kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni të Veriut. Janë tri dispozita nuk janë zbatuar në të kaluarën dhe i përket Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë këtë. Duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje. Në Maqedoni të Veriut nuk mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë zyrtare dhe tash po rrezikohet. Kjo nuk është e vërtet,” u shpreh z. Kurti. /RTK, Alsat 1, 2

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN