Mot i keq me reshje të dendura dëbore ka pushtuar Britaninë.
Më shumë se 200 shkolla janë mbyllur në Britani për shkak të motit të keq, ndërkohë që paralajmërimet për kushte të përkeqësuara të motit vazhdojnë të jepen nga ekspertët.
Shërbimi Meteorologjik i qeverisë ka lëshuar katër paralajmërime të verdha për borë, ngrica dhe trafik rrugor, devijime të rrugëve dhe ndërprerje të pritshme të energjisë elektrike.
Një nga paralajmërimet mbulon Uellsin jugor, paralajmërimi do të jetë në fuqi deri në mesnatën e së martës, ndërsa një tjetër paralajmërim është dhënë për Skocinë jugore deri në orën 10 të mëngjesit të së mërkurës.
Paralajmërimi i tretë, i cili do të jetë në fuqi deri në mesditë të së mërkurës, ka të bëjë me Skocinë dhe lindjen e Anglisë.
Ekziston gjithashtu një paralajmërim i mëtejshëm për zonën e Irlandës së Veriut deri në orën 10 të mëngjesit të së mërkurës.
Sipas udhëzimeve të autoriteteve, lartësia e borës pritet të jetë 10 centimetra në zonat që do të preken më shumë nga moti i keq.
Kreu i Zyrës Met tha: “Me ajrin e ftohtë të Arktikut që prek Britaninë, moti i ashpër do të vazhdojë të prekë vendin këtë javë me paralajmërime të mëtejshme që priten gjatë ditëve në vijim”.
“Ne jemi duke u fokusuar në reshjet e reja të borës që do të regjistrohen, si dhe rrezikun e akullit të martën dhe mesnatën e së mërkurës,” shtoi ai.
Termometri natën e së hënës tregoi temperatura nën zero në pjesën më të madhe të Britanisë, me rekordin e ulët të vendosur në Aberdeenshire që tregoi -11.2 gradë celcius.