Java që lamë pas pa disa futbollistë shqiptarë që luajnë jashtë vendit, të bëjnë mirë. Më poshtë iu sjellim dhe pesë më të vlerësuarit nga “Sofascore”.
“TOP 5” LEGJIONARËT E JAVËS
Elhan Kastrati, 8.4—Porteri i Kombëtares mban vlerësimin më të lartë, pasi me pritjet e tij ndihmoi Çitadelën të fitonte 1 me 0 në transfertën e vështirë të Palermos.
Kristian Shpendi, 7.9—Sulmuesi i përfaqësueses U-21 spikati sërish me Çezenën ku shënoi golin e vetëm të sfidës, që i dha fitoren të tijëve kundër Sudtirol.
Eduart Rroca, 7.8—Mesfushori shqiptar shënoi për Ankara Keçiorengucu në Turqi. 31-vjeçari bëri mirë individualisht, por skuadra e tij nuk e shmangu humbjen 2 me 3 përballë Korum.
Eneo Bitri, 7.7—Ish-mbrojtësi i Partizanit që luan me Gior në Hungari tundi rrjetën pas asistit të Albion Markut. Sfida u mbyll në barazim, ndërsa Bitri ishte dhe kapiten për këtë takim.
Berat Gjimshiti, 7.7—Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare spikati kundër Napolit kryesues, që humbi 0 me 3 përballë Atalantës. Rezultati në transfertë tregon shumë dhe për paraqitjen e Gjimshitit si kapiten.