MENU
klinika

EMRAT

Prezantohen 12 drejtorët e rinj të Policisë së Shtetit

14.11.2024 - 14:18

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha prezantoi sot 12 drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë. Hoxha tha se drejtues në qarkun e Tiranës do te jetë Elton Alushi, i cili aktualisht mban postin e zv.drejtorit të policisë në Vlorë.

Qarku i Elbasanit do te jetë nën drejtimin e Fatmir Hoxhës, Shkodra do të jetë në drejtimin e Fatmir Lleshajt, ndërsa Vlora nën drejtimin e Elidon Çelës.

Teksa prezantoi emrat e 12 drejtuesve të rinj të policisë së shtetit, ministri i brendshëm Ervion Hoxha i udhëzoi që të kryejnë këtë detyrë të re me përgjegjësi dhe transparencë.

Ministri Hoxha i uroi suksese drejtorëve. Ai u kërkoi që të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, por edhe shqetësimeve dhe problematikave që media ngrenë.

“Ju kërkoj drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, por edhe shqetësimeve dhe problematikave që media ngre duke i trajtuar me seriozisht dhe paanshmëri”, u shpreh Hoxha.

EMRAT E DREJTORËVE TË RINJ TË POLICISË SË SHTETIT

Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi
Drejtor i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj
Drejtor i Policisë së Durrësit, Vilson Bala
Drejtor i Policisë se Kukësit, Gentian Berberi
Drejtor i Policisë së Lezhës, Altin Mena
Drejtor i Policisë së Vlorës, Elidon Çela
Drejtor i Policisë së Gjirokastrës, Altin Merizaj
Drejtor i Policisë së Elbasanit, Fatmir Hoxha
Drejtor i Policisë së Beratit, Luigj Vathi
Drejtor i Policisë së Dibrës, Artion Duka
Drejtor i Policisë së Shkodrës,Fatmir Lleshaj
Drejtor i Policisë së Korçës, Erion Ahmeti

Hoxha kujtoi ndër të tjera masakrën me katër viktima në Dobraç të Shkodrës. Ai tha se autorët duhet të shkojnë sa më shpejt para drejtësisë.

“Shkodra duhet të zbardhet plotësisht dhe para drejtësisë duhet të dërgohen autorët. Edhe çdo ngjarje e vogël që nuk bën lajm e bujë duhet të marrë vëmendjen e duhur nga policia.

Duhet të marrin fund praktikat e ndodhura në fshat që qytetarët ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm për riparimin e një palë shkallësh apo një avllie, policia ka mision tjetër”, tha Hoxha.

Fjala e plotë

I nderuar Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit,

Sot përmbyllet një tjetër fazë e procesit konkurrues, meritokratik, transparent, bazuar në reformën më të re të ligjit të mazhorancës parlamentare, për emërimin e drejtuesve të Policisë në qarqe.

Kemi 12 drejtues të rinj të Policisë, të dalë nga konkursi ku morën pjesë 43 konkurrentë dhe të cilët përfaqësojnë një gjeneratë të re oficerësh, që pas një eksperience të krijuar që nga shkalla e parë e karrierës, marrin sot barrën e drejtimit të uniformave në 12 drejtoritë e policisë në qarqe.

Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e derisotëm, të cilët meritojnë respektin tonë për kontributet e çmuara në karrierën e tyre të gjatë në Policinë e Shtetit dhe kam besim se me bagazhin e eksperiencës së tyre do të jenë një mbështetje shumë e madhe e mëtejshme në çdo detyrë tjetër të shërbimit të Policisë së Shtetit.

Vizioni ynë Shqipëria 2030 dhe ambicia jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade – ku përmbushja e të gjitha kritereve dhe anëtarësimit na sfidon të gjithëve për të bërë çdo ditë më shumë – na imponon thellimin e të gjithë progresit të bërë në transformimin e Policisë së Shtetit.

Drejtuesit që sot marrin detyrën, janë përzgjedhur për kompetencën dhe aftësinë e tyre, por edhe për integritetin e figurës, për të cilin është bërë një qëmtim i veçantë në bashkëpunim me organet përkatëse ligjzbatuese.

Siguria e lartë nuk është vetëm një ambicie, por një e drejtë e çdo qytetari dhe komuniteti në Republikën e Shqipërisë, pa harruar miliona vizitorët e huaj, që tanimë janë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve anembanë vendit.

Drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit do të sigurojnë praninë e strukturave të rendit në çdo cep të Shqipërisë, forcimin dhe lidhjen me qytetarët e me komunitetet dhe reagimin e shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale, të mëdha a të vogla. Për shembull një nga ngjarjet si ajo e javëve të shkuara në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt.

Rënia e numrit të vrasjeve vit pas viti, duhet të vazhdojë drejt normalitetit mesatar të policive europiane, por ne duhet të synojmë edhe më shumë se sa kaq, sepse asgjë nuk na pengon të shkëlqejmë në këtë drejtim në rrugën tonë. Por edhe çdo ngjarje e vogël, që nuk bën lajm e bujë, por që cenon sigurinë e pronës dhe qetësinë e qytetarëve apo familjeve, duhet të marrë vëmendjen e duhur nga Policia e Shtetit.

Në këtë sens duhet të marrin fund praktikat e shqetësimit të qytetarëve në fshat, që ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm të policisë për riparimin e një palë shkallëve ose një avllie, ndërkohë që Policia e Shtetit ka mision tjetër dhe fokusin e saj duhet ta përqendrojë në rastet e abuzimeve të pajustifikueshme në zonat turistike, shtretërit e lumenjve apo rrugët e vendit, ku çdo ndërhyrje e paligjshme e çdo natyre përbën një vepër penale.

Nga ana tjetër modernizimi i shërbimeve policore kërkon një hov të mëtejshëm.

Policia e Shtetit 2030 duhet të jetë një polici e pajisur me sistemet e nevojshme teknologjike, të inteligjencës digjitale dhe është e papranueshme që të mos shpenzohen fondet e veçanta, të vëna në dispozicion nga qeveria për këtë ambicie madhore, thjesht e vetëm nga inkompetenca dhe zvarritjet e shkaktuara prej burimesh njerëzore të papërshtatshme për këtë mision dhe për të kryer këto detyra.

Drejtoria e Përgjithshme dhe drejtuesit e rinj duhet t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë projekteve inovative, të cilat na ndihmojnë tejmase për të kontrolluar territorin, mbikëqyrur trafikun, parandaluar dhe goditur kriminalitetin.

Le të jemi më të qartë dhe të vetëdijshëm se lufta kundër kriminalitetin, kërkon jo vetëm përballje frontale me çdo fenomen dhe element kriminal, por edhe një vullnet të palëkundur për vetëpastrim në radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element i prekur prej virusit të krimit apo të korrupsionit.

Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në çdo qark, me Prokurorinë e Posaçme në qendër, si edhe me Shërbimin Informativ të Shtetit është pozitiv, por duhet ngritur në nivele shumë më të larta. Shqipëria është një vend i vogël dhe bashkëveprimi i këtyre strukturave kyçe të sigurisë është kyç për një sukses të sigurtë dhe të qëndrueshëm në Shqipëri pa telashe të lidhura me krimin e me rendin publik në tërësi.

Këto përzgjedhje që hyjnë sot në fuqi, anë më shumë se një emërim dhe rutinë e disa oficerëve të rinj në drejtimin. I gjithë ky ekip i ri është njëkohësisht besim tek një gjeneratë e re dhe ambicie drejt një niveli të ri të shërbimit të Policisë së Shtetit.

Ky proces konkurrues, meritokratik e transparent, do të vazhdojë më tej, për të zgjedhur drejtuesit e rinj në 48 komisariate të policisë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Aktualisht kemi një numër prej 292 konkurruesish që do të marrin pjesë në një garë për 48 pozicionet e ardhshme.

Iu kërkoj sot drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve por edhe shqetësimeve e problematikave që media ngre, duke i trajtuar ato me seriozitet, transparencë dhe paanshmëri.

Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin

Gjesti simbolik për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

Fotolajm/ Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë