Kryesisht nga mbetjet e larta të pesticideve e baktereve apo mungesa e etiketimit dhe dokumentacionit shoqërues, bashkë me kushtet e papërshtatshme higjienike qindra tonë prodhime shqiptare të destinuara për eksport bllokohen çdo vit në kufij. Me objektivin e arritjes së “1 miliardë euro eksporte” nga njëra anë dhe objektivin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nga tjetra, Shqipëria duhet të garantojë standardet e duhura në drejtim të cilësisë së produkteve ushqimore, shkruan A2.
“Për të shfrytëzuar më së miri potencialin e bujqësisë shqiptare, duhet të trajtojmë sfidat që kanë të bëjmë me përputhshmërinë duke pasur parasysh forcimin e infrastrukturës. Shqipëria mund të rrisë konkurrushmërinë e produkteve te saj dhe sigurinë për konsumatorët. Bllokimet e produkteve në kufi janë një çështje kritike për ti trajtuar përmes forcimit të infrastrukturës përkatëse”, tha Dorina Nati, OKB për Zhvillimin Industrial.
Bashkimi Europian është tregu me shkallën më të lartë të refuzimeve të produkteve shqiptare me 58 për qind të rasteve, ndjekur nga Kina me 31 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 11 për qind të bllokimeve. Vendi do të ndihmohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial për të zgjidhur këtë problematikë.
“Cilësia dhe standardet nuk kanë të bëjnë thjeshtë me kërkesa, por ndikojnë në rritjen ekonomike dhe barazinë sociale. Nisma e përbashkët nga UNIDO dhe SECO është një program që funksionon në të gjithë botën për të forcuar kapacitetet e SME-ve dhe për të lehtësuar qasjen e tyre ne tregje si ne nivel vendi ashtu dhe në nivel global”, tha Fiona McCluney, Përfaqësuesja e Përhershme e OKB në Shqipëri.
Siguria ushqimore është testi i radhës që Shqipëria duhet të kalojë… kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të marrë aprovimin e institucioneve të Bashkimit Europian.
Nisur nga këto detyra që tanimë peshojnë edhe më shumë, Ministria e Bujqësisë ka hartuar edhe dokumentin e ri mbi politikat kombëtare për sigurinë ushqimore, ku synohen investime në rrjet laboratorësh e inspektoratesh, lehtësimi i progresit drejt akreditimit të metodave analitike parësore, përmirësimi i Analizës së Rrezikut dhe ai i Kontrollit të Brendshëm.