MENU
klinika

Nga Mero Baze

Protesta “më e madhe në gjeografi”

25.11.2024 - 23:00

Protesta e së martës ka disa risi që e bëjnë atë “jo më të madhen në histori”, siç e quan Berisha, por “më të madhen në gjeografi”.

Arsyeja është se ajo nuk zhvillohet në një shesh të caktuar, por zë shumë metra katrorë duke u shpërndarë nëpër Tiranë dhe duke pushutar një territor shumë here më të madh se Sheshi Skënderbej.

Kjo formë e re gjeografike e protestës ka disa të mira.

E mira e parë e madhe është që Berisha shpeton nga makthi kur t’ia numurojnë që nuk ka sjellë dot as 1 mijë vetë.

Kështu i ka të shpërndarë dhe nuk ja numurojnë dot. Duke i shpërndarë në disa kryqëzime të Tiranës, ajo është më e mbledhur gjeografikisht se protesta e fundit që ishte e shpërndarë në gjashtë rrethrotullime, pra është më e lehtë për t’u numeruar.

E mira e dytë e madhe është se ora e protestës është duke u errur dhe nuk shikohet as kush mer pjesë dhe as nga janë ata që do bllokojnë kryqëzimet.

Në këtë mënyrë forcon idenë e ilegalëve të Londrës në Tiranë. Dhe këtu do të jetë një betejë ilegale. Kjo i shplodh ata nga përndjekja prej “rregjimit diktatorial të Edi Ramës”.

E mira e tretë është se Berisha mund të konsiderojë si pjesëmarrës në protestë gjithë banorët e Tiranës që kap përimetri gjeografik i protestës. Kështu që Berisha llogarit sa banorë jetojnë në atë territor të Tiranës dhe ato i quan “zonë e çliruar”. Kjo natyrisht bën atë protestën më të madhe në histori.

I gjithë ky plan ka vetëm një të metë, faktin që nuk ka popull në anën e protestuesve, por kundër tyre, duke i sharë nëpër kryqzime që u zënë rrugën.

Ky problem është më i rëndë se arrestimi i Berishës, dhe se arrestimi i Metës dhe se gjithë të këqijat që i kanë ndodhur opozitës nga mbajtja peng prej Berishës.

Ai praktikisht është njeriu që i ka larguar popullin opozitës dhe tani shpreson se duke pushtuar udhëkryqet, do vendosë shtetrrethimin dhe do ta rikthejë popullin me vete. Është bela e madhe kur rri brenda e shikon filma me ilegalë në pleqëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN