MENU
klinika

“Burgu brenda burgut”

Regjimi “41 bis”, çfarë parashikon modeli italian që po aplikohet edhe në Shqipëri

25.11.2024 - 11:00

Në Shqipëri prej disa muajsh ka nisur nga zbatimi i vendimit për izolimin me regjimin “41 bis” të shtatë të dënuarve të parë, që do të izolohen për një vit në qelitë VIP. Të burgosurit që janë izoluar deri më tani janë: Genci Balla, Arbjon Aliko, Gilmando Dani, Endrit Zela, Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Endrit Qyqja (Zela), etj.

Janë 40 qelitë e parashikuara për atë që është cilësuar si “burgu brenda burgut”. Ato janë të vendosura në burgun 313 në Tiranë dhe atë të Peqinit. Sistemi “41 BIS” është ndërtuar mbi modelin italian dhe është prezantuar për herë të parë para dy vitesh. Qëllimi është i njëjtë: të pengohet drejtimi dhe organizimi i grupeve kriminale nga të dënuarit brenda burgut. Në Itali, regjimi 41 Bis u prezantua në vitin 1975 si një zgjidhje për t’u përballur me trazirat brenda institucioneve të burgjeve dhe më pas u aplikua për bosët e mafias. Qëllimi i 41 bis është të parandalojë kalimin e urdhrave, informacionit dhe çdo lloj komunikimi tjetër midis të burgosurve dhe organizatave jashtë tij.

Historia e 41 bis në Itali

41 bis është një regjim i veçantë dhe më i rreptë i burgjeve sesa norma. Aty janë të destinuar të shkojnë autorët e krimeve më të rënda, veçanërisht krimet që lidhen me krimin e organizuar. Në Itali, regjimi i burgut 41 bis u shtri edhe te kapot e mafias në 1992. Qëllimi kryesor i këtij institucionit të vuajtjes së dënimit është që t’i ndalojë të burgosurit të marrë informacion nga jashtë, nga ana e organizatave të cilave ai i përket, të japë informacione dhe të përcjellë direktivat për bashkëpunëtorët që janë të lirë jashtë.

41 bis minimizon kontaktet midis të burgosurit dhe njerëzve të jashtëm (me anëtarët e familjes dhe avokatët), si dhe me të burgosurit e tjerë dhe gjithashtu edhe me rojet e burgut. Me pak fjalë, është një gjendje e izolimit total. Në Itali, kufizimi ekstreme që sjell ky regjim ka hapur shumë herë debatin mbi legjitimitetin e tij: nëse është e vërtetë që Kushtetuta lejon vetë një regjim të veçantë burgu për kriminelë shumë të rrezikshëm është gjithashtu e vërtetë që në disa raste 41 bis përkthehet në privim të të drejtave të njeriut në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Çfarë parashikon?

Ata që i nënshtrohen këtij regjimi mbahen në një qeli të vetme dhe nuk kanë akses në hapësirat e përbashkëta të institucionit penitenciar, edhe ora e ajrimit ndodh në izolim total. Qelia e një të burgosuri ka një shtrat, një tryezë dhe një karrige të gozhduar në tokë dhe çdo formë privatësie është e pamundur. Të arrestuarit në këtë regjim nuk mund të zotërojnë ndonjë objekt personal, madje as një libër. Lëshime bëhen vetëm në raste të veçanta, që kërkojnë një proces të gjatë aprovimi. I burgosuri monitorohet nga policia e burgut 24 orë në ditë, ndërsa kontaktet me rojet e burgut reduktohen në minimumin e mundshëm. Takimet dhe bisedat me anëtarët e familjes, avokatët dhe çdo kontakt tjetër me pjesën e jashtme janë gjithashtu jashtëzakonisht të kufizuara.

Edhe pse mund të jetë subjekt i këtij regjimi, i burgosuri ka të drejtë të marrë kujdesin mjekësor që i nevojitet në burg, dhe, kur është i domosdoshëm, ai mund të dërgohet në spital. Krime që mund t’i bëjnë të dënuarit subjekt të regjimit bis 41 Ligji Ndëshkimor 41 bis përcakton që ky lloj burgu vihet në zbatim për krimet e mëposhtme: për qëllime terrorizmi; organizata kriminale e llojit mafioz; bashkëpunim me organizatat mafioze; skllavëri; prostitucioni i fëmijëve; trafikimi i qenieve njerëzore; blerja ose shitja e skllevërve; dhunë seksuale në grup; rrëmbim me qëllim grabitjen ose zhvatjen; grup kriminal për trafikim të substancave psikotrope ose narkotike.

Shifrat në Itali

Në Itali janë 22 institucionet e vuajtjes së dënimit që e aplikojnë këtë regjim. Të dhënat e të fundit të numrit të të burgosurve nën regjimin 41 bis datojnë në periudhën dy vjeçare 2016-2018: në fillim të vitit 2016, 729 të dënuar mbaheshin në këtë lloj burgu, 7 prej tyre gra. 80% e tyre ishin të dënuar për krime që lidhen me grupet mafioze.