Javët e fundit, përqëndrimi i theksuar i politikës qeveritare mbi nivelin e pensioneve, me daljet e shpeshta të drejtuesit të qeverisë dhe disa ministrave për financat dhe ekonominë në Tiranë dhe rrethe të vendit, në biseda sqaruese me pensionistët, sikur parathonin një ndryshim cilësor në betejën për pensione dinjitoze, të filluar në themele vetëm tani! Këto takime e dhanë produktin e parë. 100 milionë euro mbështetje në dhjetor 2024, për shtimin më të madh vjetor të pensioneve të tyre në 34 vjet. Me shpërblimin e fundvitit 2024 të trefishuar në 15 mijë lekë për pensionet deri në 20 mijë lekë të reja në muaj dhe shpërblimin e dyfishuar në 10 mijë lekë të reja për pensionet mbi 20 mijë lekë të reja në muaj, pensioni mesatar këtë vit rritet me 6.3 përqind për të 720 mijë pensionistët. Për herë të parë në 34 vitet e tranzicionit, shtimi vjetor i pensioneve e kalon rritjen ekonomike të atij viti. Ndërkohë, pensionet sociale dhe minimale për 240 mijë pensionistë rriten në dhjetor 2024 me 13 përqind për këtë vit. Rritja e pensioneve dhjetorit 2024 do të jetë e para në histori, që favorizon pensionet e ulta. Nga dje, qeveria zotohet të krijojë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një shperblimi të dytë për pensionistët. Edhe ky shpërblim do të jetë i përhershëm, tradicional, për vitet e mira ekonomike të vendit. Ky shpërblim do të jetë dallëndyshja e pranverës për shpresat e një pensioni më në fund dinjitoz për pensionistët tanë. Ende nuk dihet masa e tij, por ai do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve. Do të jepet në hyrje të çdo pranvere, ndoshta në fund të marsit apo fillim të prillit, duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përfituar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe e të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës. Pra, në fund të marsit apo fillim të prillit 2025, do të merret si fond nga të ardhurat shtesë në Buxhetin e Shtetit, të realizuara gjatë vitit 2024. Ndërkohë, qeveria do të ketë gati vitin e ardhshëm edhe planin e ri të pensioneve, në funksion të rritjes ekonomike të vendit. Do të ndryshohet me ulje numri i viteve të punës me kontribute në sigurimet shoqërore, për pensionin minimal dhe pensionin maksimal. Kjo është mirëfilli e domosdoshme, pasi aktualisht duhen 15 vite pune me sigurime, për të përfituar pension minimal. Në vitin 2023, nevojiteshin 38 vite punë me sigurime të paguara, për të arritur pension të plotë! Kjo ndodh tek ne, ndërkohë që në vendet më të zhvilluara të Evropës, në Gjermani dhe Francë, përfiton pension të plotë me vetëm 32 dhe 33 vite kontribute shoqërore. Pra 5-6 vite më pak se ne. Skema e sotme do të ndryshojë dhe do të ulen vitet e kontributit, për të siguruar pension të plotë. Në vende si Shqipëria, ku një pjesë e madhe e punonjësve janë informalë, një periudhë e gjatë kontributesh i shkurajon punonjësit që të kontribuojnë, veçanërisht emigrantët, që janë jashtë tregut vendas të punës. Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni. Me ritmet aktuale, pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute, duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal! Plani i ri i pensioneve, i cili po diskutohet me specialistët e Bankës Botërore, do të ngrejë mënjëherë pensionin minimal tek ne, me 50 përqind, duke e shkëputur atë nga pensioni social. Plani i ri, duke ulur vitet e kontributeve me sigurime shoqërore për të përfituar pension të plotë, automatikisht do ta rrisë vlerën e pensioneve të 17-20 mijë pensionistëve të rinj që i shtohen skemës çdo vit. Nga ana tjetër, ai do të sjellë edhe të ardhura të tjera për pensionistët, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve, pa rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të vendit(pra nuk do të marrim borxhe për të shtuar pensionet), si dhe pa ulur investimet themelore për të ardhmen e garantuar të fëmijëve tanë në atdhe. Me ritmin e dy shtesave te ndjeshme te pensioneve, qe po realizon qeveria tani, permes shperblimeve te fundvitit dhe shperblimeve ne fillim te pranveres, Shqipëria në BE në vitin 2030 do të renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të pensioneve në Ballkanin Perëndimor.
Nga Fatos Çoçoli
Sa ndihmojnë 100 milionë eurot më shumë të pensionistëve?
19.11.2024 - 21:17
Detajet nga skema e re
Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli
Skema që po ndiqet dhe detajet nga dy bonuset