MENU
klinika

Mosmirënjohje apo përplasje?

Si FSHF aneksoi Cikalleshin për ceremoninë e lamtumirës

19.11.2024 - 11:40

Para ndeshjes Shqipëri-Çeki, FSHF organizoi ceremoninë e lamtumirës nga Kombëtarja të 4 lojtarëve: Odise Roshi (71 ndeshje), Bekim Balaj (48 ndeshje), Ermir Lenjani (45 ndeshje) dhe Klaus Gjasula (29 ndeshje).

Sigurisht që ky është një veprim që e nderon institucionin e futbollit dhe mbi të gjitha vlerëson lojtarët për kontributin ndër vite me fanellën kuqezi. Mirëpo, ajo që bëri më shumë përshtypje në nismën e FSHF-së ishte mungesa e Sokol Cikalleshit.

Sulmuesi luajti 60 ndeshje dhe shënoi 13 gola si kuqezi në vitet 2014-2024, ndërsa ishte protagonist absolut në kualifikueset e Europianit të fundit. Dhe befas u aneksua nga FSHF! Natyrisht që kjo lë shkas për aludime dhe mosmirënjohja ose ndoshta “hakmarrja” kundër lojtarit për atë që mund të ketë ndodhur muajt e fundit mes palëve, pas lënies jashtë Europianit, gjen më shumë vend në një situatë të tillë.

Përderisa zyrtarisht nga FSHF nuk u bë një sqarim qoftë edhe për kortezi dhe gjithashtu nga ana tjetër, Cikalleshi nuk polemizoi asnjëherë pas tërheqjes nga Kombëtarja, e bën situatën edhe më misterioze. Mbetet për t’u parë nëse në vijim do të ketë një reagim nga institucioni.