MENU
klinika

Nga Fatos Çoçoli

Të jetosh në epokën e SPAK

13.11.2024 - 12:00

Sot, në sajë të Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e njohur me emrin SPAK edhe nga fëmijët tanë të vegjël, nuk ka ndodhur kurrë më parë në 33 vite tranzicion, që të kishim një shpresë kaq të bazuar se ky shteti ynë do të bëhet. Dhe se sa më shumë kryen veprime SPAK, aq më shumë afrohet dita e bërjes së shtetit tonë. Se administrata e sotme publike makthin dhe strukturën që i trembet më shumë e ka pikërisht tek SPAK, sa herë yshtet të kryejë një veprim abuziv apo korruptues. Se ata që në shumë vite dhe madje dekada, i kemi parë dhe e kanë parë veten si të paprekshëm, sot janë jo vetëm të prekshëm, por një pjesë prapa hekurave dhe shumica jashtë tyre, mund të kenë hesape të shumta me drejtësinë e re. Kurrë më parë nuk do ta imagjinonim që do të merrnim telefonata kaq shumë nga vëllezërit, motrat dhe kushërinjtë në emigracion, që dëgjojnë lajmet nga Shqipëria dhe thonë “Më i lumtë SPAK!”.

Në 33 vitet e fundit kurrë nuk kishte ndodhur që një institucion i drejtësisë të kthehej në makth për politikanët tanë. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë që ustallarëve partiakë të marifeteve t’u ndërpriteshin linjat e komunikimit me njerëzit e drejtësisë. Kurrë nuk kishte ndodhur që politika dhe drejtësia të ishin kaq larg njëra- tjetrës. Kaq të pavarura njëra nga tjetra. Po jetojmë në një realitet të ri, në epokën e SPAK, Kurrë nuk kishte ndodhur më parë që drejtësia të ketë një plan punësh tërësisht të ndryshëm nga politika. Po ashtu, kurrë nuk kishte ndodhur që politikanët tanë të ndiheshin kaq të pafuqishëm përballë drejtësisë. Asnjë nga politikanet nuk ka patur fuqi të ndikojë në të gjitha arrestimet ndaj ish-deputetëve dhe ish-ministrave socialistë, që aktualisht ndodhen në burg.

Ai, i cili si djathtas dhe majtas fushës sonë politike, e anatemon SPAK dhe madje e sulmon edhe nën brez, duhet ta dijë se një prokuror profesionist, për më tepër i trajnuar nga ekspertë të FBI-së(Byroja Federaloe e Hetimit) amerikane, nuk nxitet nga emocionet, por nga faktet. Nuk bazohet në pasionet, por në ligj. Nuk ndikohet fare nga emri i atij që ndodhet në dosje, por nga parimi se përpara ligjit të gjithë janë të barabartë. Në 33 vite tek ne, nuk ka ndodhur kurrë që një institucion publik të ketë 90 përqind mbështetje dhe besim tek qytetarët e intervistuar, sa Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

SPAK po bën atë revolucion në jetën tonë, sikurse bëri në vitet 90-të të shekullit të kaluar, në Italinë fqinje, grupi i hetuesve “Duar të Pastra”, të drejtuar nga hetuesi kurajoz Antonio Di Pietro. Ky grup hetuesish, njëlloj si SPAK, ndoqi paranë e abuzimit dhe korrupsionit me postin publik në shtetin italian. Dhe kjo para e çoi të arrestonte gjysmën e klasës së kalbur politike të vendit, ndërsa kryeministrin e atëhershëm të Italisë, Betino Kraksi, e detyroi të kërkonte azil politik në Tunizi. Këto operacione prerjesh të metastazave të abuzimit dhe korrupsionit po bën SPAK sot edhe tek ne. Ndërsa partia në pushtet dhe qeveria ka zgjedhur të mos ndërhyjë në asnjë veprim të SPAK dhe ka bërë shumë mirë, opozita duhet të pozicionohet qartë në raport me veprimet e këtij institucioni.

Qytetari e do opozitën e vendit si shpresë dhe llogarikërkuese e pushtetit të sotëm, dhe jo si shigjetare ndaj SPAK. Kjo opozitë që kemi sot duhet të bëjë një falje publike për baltën e hedhur ndaj këtij institucioni dhe prokurorëve të tij. Duhet të deklarohet në mbështetje të punës dhe të mbarëvajtjes së këtij institucioni publik që sot është shpresa e qytetarëve, nëse do të bëhet një ditë të shpejtë shpresë e tyre edhe vetë opozita. Opozita duhet të deklarohet se për çdo çështje hetimore që hap dhe zhvillon SPAK, ajo nuk do ta politizojë dhe nuk do ta marrë në mbrojtje politikanin që do vihet nën akuzë. Për fat të keq, opozita e sotme po bën të kundërtën.

Opozita nuk po e kupton se qëndrimi ndaj SPAK është lakmusi për të fituar besimin tek qytetari i paangazhuar në politikë. Dhe kjo opozitë do të humbë shumë nga gjasat, në mos të gjitha, për të fituar në zgjedhjet e pranverës 2025, nëse kthehet në grup të bindur sulmues dhe goditës ndaj veprimeve të SPAK.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin