Historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për figurën e Enver Hoxhës gjatë regjimit komunist. Historiani foli për përplasjet e Enver Hoxhës me njerëzit e tij, kryesisht me Mehmet Shehun. Xhufi tregon pse Hoxha nuk donte t’ia linte pushtetin Mehmet Shehut dhe pse ky i fundit u vetëvra. Pak para vetëvrasjes thotë Xhufi, Mehmet Shehu, shkroi me qetësi dhe një letër.
“Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë Mehmet Shehut, edhe pse ishte krahu i djathtë i tij. Mehmet Shehu ishte autoritet i padiskutueshëm. Vetëvrasja e Mehmet Shehut i dha fund sistemit në ‘81-shin, edhe Enver Hoxha nuk e mori më veten. Kështu u tërhoq zvarrë deri në 85-ën. Ramiz Alia nuk kishte ashpërsinë për të marrë vendime si Enver Hoxha dhe kështu ra sistemi. Ngaqë Hoxha nuk donte t’ia linte pushtetin Mehmet Shehut, filloi ta godasë. Në fillim i hoqi krahët, ca ushtarakë. Ndoshta Enver Hoxha trembej nga Mehmet Shehu. Por ai linte kokën për Enver Hoxhën dhe kjo as nuk diskutohet pasi ka dhënë prova për këtë. Por ka pasur sjellje të ashpra, të luftës, për të cilat Komiteti i Partisë dhe Kryesia e Fronit e ka kritikuar Mehmet Shehun. Unë nuk besoj se Mehmet Shehu u vra sepse ai ka lënë edhe një letër, një lloj testamenti të shkruar në qetësi.
Mehmet Shehu u fye rëndë sepse ishte njeri me sedër, autoritet. Ku kishte si Mehmeti në gjithë udhëheqjen e kampit socialist, por edhe në Perëndim, njeri me 5 gjuhë, luftëtar i Spanjës që 20 vjeç, revolucionar profesionist, ngriti brigadën e parë. Por edhe në ekonomi në Shqipëri mblidhte njerëz të aftë. Ka marrë njerëz nga internimi dhe i ka futur në Kryeministri.”, tregon profesor Xhufi.