Sot janë bërë 92 vjet nga lindja e artistës së madhe të skenës dhe e kinemasë shqiptare, Tinka Kurti
Kurti lindi më 17 dhjetor te vitit 1932 në Sarajevë. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje artëdashëse pasi nëna e saj në rininë e vet ka qenë aktore kryesore në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Arsimin bazë 7-vjeçar ajo e mori në Sarajevo dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në qytetin e Tiranës ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.
Ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe. Shumë pak kohë pasi kishte filluar të ndiqte studimet në këtë specialitet, ajo u përjashtua nga shkolla me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale”.
Ishte pikërisht regjisori Andrea Skanjeti ai që pikasi talentin e saj të jashtëzakonshëm për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”. Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës ajo bëhet pjesë e trupës si aktore gjysmë profesioniste dhe ishte gjithashtu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës.
Ishte çmimi “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupa e festivalit në Festivalin e parë të Teatrit Shqiptar që e ngjitën aktoren Tinka Kurti në kategorinë e aktorëve profesionistë me rolin në shfaqen “Toka Jonë” me regji të Kol Jakovës.
Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi.
Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.
Roli i saj më i fundit do të ishte në kinematografi në filmin “Bota” (2014).
Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhërin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike. /atsh