MENU
klinika

Shtetet që "fundosën" Vuçiçin

Bllokadë e re për Serbinë për integrimin në BE

05.12.2024 - 17:40

Vendet anëtare të BE-së edhe një herë nuk kanë arritur marrëveshje për hapjen e grupit 3 në negociatat me Serbinë, mësoi RTS nga burime diplomatike në Bruksel.Edhe takimi i tretë në nivel ambasadori për këtë temë nuk solli konsensusin e nevojshëm. Hungaria si presidente e BE-së njofton se debati për këtë çështje do të vazhdojë javën e ardhshme. Koha për marrëveshje po mbaron, sepse konferenca ndërqeveritare për hapjen e klasterit, nëse ka, duhet të mbahet në javën ndërmjet 16 dhe 20 dhjetor. Sipas burimeve diplomatike, qëndrimet e vendeve anëtare nuk kanë ndryshuar ndjeshëm në raport me debatin e mëparshëm.

Vendet që refuzuan

Në takimin e fundit, shtatë vende, mes tyre vendet baltike dhe skandinave, Holanda dhe Kroacia, hodhën poshtë propozimin e presidencës hungareze për fillimin e procedurës për hapjen e grupit 3. Si arsye kryesore për refuzimin, vendet anëtare vunë në dukje mospërputhjen e Serbisë me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet kundër Rusisë, angazhimin e paqartë gjeopolitik të Beogradit, problemet në sundimin e ligjit, si dhe marrëdhëniet me Prishtinën. Vendet që mbështesin hapjen e klasterit deklarojnë se duhet të pranojnë vlerësimin e Komisionit Evropian sipas të cilit Serbia i ka përmbushur kriteret teknike. Ata theksojnë se kjo do të dërgonte një sinjal pozitiv në rajon dhe do ta afronte Serbinë me Bashkimin Evropian. Disa prej tyre paralajmëruan se nuk do të mund të pranojnë hapa për vendet e tjera nëse nuk arrihet një marrëveshje për Serbinë.

Lista e hapave

Burime diplomatike raportojnë se Serbia para debatit të mëparshëm u ka dorëzuar vendeve anëtare të ashtuquajturin non-paper me një listë hapash që synon të ndërmarrë në afat të shkurtër për të inkurajuar vendimin për hapje. Ndër hapat e paralajmëruar për fillim të dhjetorit janë nisja e procedurës për zgjedhjen e këshillit të ri të REM, rishikimi i listës së zgjedhësve në përputhje me rekomandimet e ODIHR, vendosja e vizave për vendet e treta në përputhje me me politikën e vizave të BE-së, funksionimin e plotë të interkonjektorit të gazit me Bullgarinë. Sipas burimeve të RTS, debati i radhës për hapjen e klasterit mund të mbahet më 11 dhjetor. Koha për një marrëveshje po mbaron, sepse konferenca ndërqeveritare në të cilën do të hapej klasteri duhet të mbahet në javën ndërmjet 16 dhe 20 dhjetor.

Serbia në garë me kohën

Rrethet diplomatike po flasin edhe për mbajtjen e mundshme të një konference ndërqeveritare “politike”, ku delegacionet e Serbisë dhe BE-së do të shkëmbejnë mesazhe politike, ndërsa hapja e klasterit do të shtyhet për tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Serbia e hodhi hapin e fundit në negociata në dhjetor 2021. Tani në tryezë është grupi 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, në të cilin janë grupuar tetë kapituj, pesë prej të cilëve ishin hapur tashmë përpara se metodologjia e re të prezantonte konceptin e grupimit. Kapitulli 10 – Shoqëria e informacionit dhe media, 16 – Politika tatimore dhe 19 – Politika sociale dhe punësimi presin hapjen.

Arsyet e refuzimit

Arsyet të cilat më së shpeshti janë përmendur për të mos ia dhënë dritën e gjelbër Serbisë tani për tani, janë dështimi i Beogradit për t’i përshtatur qëndrimet e veta me ato të BE-së në fushën e politikës së jashtme, sidomos me sanksionet ndaj Rusisë, si dhe nevoja që Serbia të bëjë më shumë në fushën e lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit. Disa vende kanë kërkuar që Serbia të bëjë më shumë edhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në Banjskë në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023.Një grup i armatosur serbësh e sulmoi Policinë e Kosovës në shtator 2023 në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë një rreshter. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan serb në Kosovës. Ai përballet me aktakuzë në Kosovë dhe besohet se ndodhet në Serbi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Hapja e grupit 3 në negociatat me Serbinë

Çfarë pritet të vendosë BE të mërkurën