Ish-kancelarja gjermane ka botuar autobiografinë e saj me titullin kumbues, “Liria”. Në vend të reflektimit për disa gabime të saj – sidomos ndaj Rusisë – ajo fajin e kërkon vetëm te të tjerët. Në librin e Angela Merkelit përmendet disa herë edhe Kosova.
Së pari, për Ballkanin: në autobiografinë e saj prej 700 faqesh dhe me titullin “Liria” (Freiheit) ajo s’përmend me emër asnjë politikan të Ballkanit. Por Ballkani si rajon e si temë është i pashmangshëm. Në vitin 2007, Vlladimir Putini mbajti në Konferencën e Sigurisë në München fjalimin e tij sa të famshëm, aq famëkeq, ku akuzoi Perëndimin, mes tjerash, edhe për intervenimin kundër Serbisë më 1999. Putini tha se BE dhe NATO nuk mund ta zëvendësojnë OKB-në. Sa për sqarim për publikun shqiptar: deri më 2007 Rusia kishte marrë pjesë aktivisht në negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas fjalimit të Putinit në München, Rusia kaloi hap pas hapi në taborin e kundërshtarëve të ashpër të pavarësisë së Kosovës.
Pra, fjalimi i vitit 2007 paraqet kthesën e madhe të Moskës në politikën ndaj Perëndimit: nga kursi deri diku bashkëpunues në qasjen konfrontative. Lidhur me fjalimin e Putinit në München, Merkel shkruan: “Kisha mundësinë ta vëzhgoja mirë Putinin gjatë fjalimit të tij. Fliste shpejt, pjesërisht duke shmangur fjalimin e shkruar, të cilin në pjesën më të madhe, ndoshta e kishte shkruar vetë, ndoshta çdo fjalë”. Merkel nënvizon se e ka shqetësuar besimi i Putinit se është i pagabueshëm: “Asnjë fjalë për konfliktet e pazgjidhura para derës së tij në Nagorno-Karabah, Moldavi dhe Gjeorgji, kritikë ndaj ndërhyrjes së NATO-s në Serbi, por asnjë fjalë për krimet e tmerrshme të serbëve gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, asnjë fjalë për zhvillimet brenda vetë Rusisë”. Sa i përket ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Merkel shkruan: “Si pjesë e operacionit NATO, ‘Allied Force’, forcat ajrore luftuan kundër trupave serbe dhe jugosllave të Sllobodan Millosheviçit. Ato ishin brutale ndaj popullsisë shqiptare në krahinën e Kosovës dhe e dëbuan atë për të penguar pavarësinë e Kosovës”.
Sipërfaqësore janë disa shënime të tjera për Ballkanin të Merkelit. Ajo lavdërohet për lançimin e Procesit të Berlinit duke e quajtur “sukses të madh” dhe vazhdon: “Kam qenë dhe mbetem e bindur se vetëm anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE mund të sigurojë një bashkëjetesë të qëndrueshme dhe paqësore në rajon. Sado e vështirë të jetë rruga deri atje, ajo duhet të ndiqet”. Asnjë fjalë vetëkritike për afërsinë e saj me autokratët e Ballkanit, për degradimin e rregullave demokratike sidomos në Serbi dhe Shqipëri, për shtypjen e mediave, për lidhjet e politikës me krimin e organizuar, për korrupsionin e madh. Në autobiografinë e saj, Merkel në vend të reflektimit për disa gabime të saj – sidomos ndaj Rusisë – fajin e kërkon vetëm te të tjerët. Edhe pasi Rusia aneksoi Krimenë, ajo e mbrojti ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, i cili kalonte nëpërmjet Detit të Veriut dhe anashkalonte Ukrainën dhe Poloninë. Kësisoj, Gjermania bëhej edhe më e varur nga gazi rus, ndërsa Ukraina dhe Polonia humbnin tarifat e transitit të gazit nëpër këto vende dhe ekspozoheshin edhe më shumë ndaj rrezikut rus – veçanërisht Ukraina. Varshava dhe Kievi kritikuan afërsinë e madhe të Gjermanisë me Rusinë, por Merkel nuk ua vuri veshin shqetësimeve të fqinjëve. Më 1 mars 2014 Merkel zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin, të cilin e ballafaqoi me informatën se personat e armatosur, me uniforma të gjelbra dhe pa shenja shtetërore, të cilët pushtuan Krimenë, ishin rusë.
Putini e mohoi këtë. “Me këtë, siç u bë shumë shpejt e qartë, ai më kishte thënë haptazi të pavërtetën”, – shkruan Merkel. Pas kësaj gënjeshtre të Putinit, “ne ishim kundërshtarë”, tregon ish-kancelarja gjermane. Por, a kishte konsekuencë kjo rrenë e Putinit? Jo! Gjermania vazhdoi me të vjetrën. Duke mos marrë seriozisht paralajmërimet amerikane, duke thënë se SHBA-të janë kundër gazit rus, sepse do të shesë gazin e vet. E vërtetë është që Washingtoni synonte të shiste gazin e vet, por kjo nuk ishte e vërteta e plotë. Paralajmërimet amerikane mbi rrezikun që bart më vete varësia gjermane nga gazi rus dolën të vërteta. Politika gjermane ndaj Moskës ishte kjo: të krijohen lidhje sa më të thella ekonomike me Rusinë në mënyrë që konfrontimet të bëhen të pamundshme. E kundërta doli e vërtetë: më 24 shkurt 2022, Rusia filloi agresionin gjithëpërfshirës ndaj Ukrainës.
Mjaft perfide është akuza që Merkel ua bën Ukrainës dhe Polonisë për grykësi: “Edhe Polonia dhe Ukraina nuk e kundërshtonin në parim furnizimin e Evropës Perëndimore me gazin rus, por donin të përfitonin prej tij duke marrë tarifa transiti”. Merkel e mbron edhe kundërshtimin e saj, që ia bëri planit për anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO gjatë Samitit të NATO-s në Bukuresht më 2008. Ajo thotë se rrezikoi një përplasje të hapur me presidentin amerikan George W. Bush. Këtë ajo nuk e bëri vetëm – krah saj ishte edhe presidenti francez Nicolas Sarkozy. Ndonëse Merkel ka argumente valide pse kundërshtoi hapjen e rrugës për hyrjen e Ukrainës në NATO – argumenti më i rëndësishëm i saj është se atëbotë shumica e ukrainasve ishte kundër përfshirjes në NATO, megjithatë pasojat e vendimit të saj janë katastrofale. Edhe nëse ndokush pajtohet me kundërshtimin e saj në Samitin e Bukureshtit, pothuaj asnjë gjeostrateg nuk mund të kuptojë as Gjermaninë, as shtetet e tjera të fuqishme evropiane e deri diku as SHBA-të, që me vite refuzuan ta përkrahin Ukrainën ushtarakisht.
Kanë qenë këto shtete që pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik e bindën Ukrainën t’ia dorëzojë Rusisë armët bërthamore. Po të ishte Ukraina fuqi atomike, diktatori në Kremlin do të mendohej dy herë nëse do fillonte pushtimin ushtarak të Ukrainës. Qasja e Merkelit se ka qenë pothuaj e pagabueshme, insistimi i saj se të tjerët nuk i kuptojnë apo nuk i kuptonin rrethanat është pjesë e betejës për të interpretuar historinë e qeverisjes së saj 16-vjeçare si kancelare. Në vitin 2015 ajo vendosi të mos refuzonte rreth 1 milion refugjatë nga Siria, të cilët erdhën përmes Ballkanit, Hungarisë dhe Austrisë pranë kufirit me Gjermaninë. “Wir schaffen das”, (do t’ia dalim), tha Merkel atëbotë. Për këtë fjalë ajo kritikohet, sepse integrimi i refugjatëve nuk po kalon pa vështirësi. Megjithatë, vendimi i Merkelit është një gjest i madh human. Pjesa më mbresëlënëse në këtë libër është ajo ku Merkel flet për 35 vjetët e saj të kaluar në diktaturën gjermano-lindore. Janë 35 vjet të jetuara në joliri. Pas një udhëtimi të paharrueshëm në Bavari dhe Austri në verën e vitit 1961, më 13 gusht mbarë familja tronditet kur sheh fillimin e ndërtimit të Murit të Berlinit. “Ne fëmijët e dinim që duhet të heshtnim”, shkruan ajo. Sepse në diktaturë çdo fjalë ‘e pavend’ mund të të çojë në burg.
Merkel bën kompromise, por jo të tilla që e diskreditojnë. Ajo anëtarësohet në organizatën rinore të partisë komuniste, por nuk pranon të bëhet informatore e Stasi, shërbimit famëkeq sekret të Gjermanisë Lindore. Merkel bën një jetë kryesisht të heshtur në diktaturë, duke hulumtuar si fizikane. Studiuesi dhe publicisti britanik Timothy Garton Ash, një njohës brilant i historisë së Gjermanisë, ia bën këtë rezyme librit të saj: “Merkel i referohet shpesh librit të historianit Christopher Clark mbi origjinat e Luftës së Parë Botërore, ‘Somnabulët’ (gjermanisht: ‘Die Schlafwandler’, 2012) dhe thekson se duhej të shmangnim një situatë ku, si në atë kohë (më 1914), mund të hynim në një tjetër luftë botërore pa e kuptuar fare. Tragjedia e historisë së saj është se, në përpjekjen për të shmangur gabimin që bënë udhëheqësit evropianë para Luftës së Parë Botërore, ajo bëri gabimin që hapi rrugën për të Dytën. (…) Kjo është pra historia e triumfit, por edhe e tragjedisë së një gruaje vërtet të jashtëzakonshme, të fortë, të matur, parimore dhe të ndershme nga Gjermania Lindore, e cila drejtoi Perëndimin. Kur përdoren fjalë të mëdha si triumf dhe tragjedi, Angela Merkel ka zakonin simpatik të rrudhë supet dhe të nxjerrë një ‘Pfffff!’ të lehtë përçmues. Sikur të donte të thoshte: “Mos më fol me këtë lloj krekosje burrash’. Por, nëse jeta e saj nuk është një triumf dhe ajo që po ndodh me Ukrainën nuk është një tragjedi, atëherë nuk e di çfarë mund të meritojë këta tituj”.