MENU
klinika

Biznesi i preferuar i shqiptarëve!

Gati 27 mijë bare dhe kafene në vend, kryesojnë Tirana e Vlora

22.12.2024 - 21:20

Në qendër të qyteteve, cepat e lagjeve apo buzë rrugëve ku kalojnë njerëz e makina… në Shqipëri ka 26 mijë e 600 bar-kafene. Biznesi i preferuar i shqiptarëve është më i përhapur në Tiranë me mbi 8 mijë e 300 pika kafenesh, ndjekur nga Vlora, Durrësi, Fieri dhe Elbasani. Lista pasohet nga Shkodra, Korça, Lezha, Berati, Gjirokastra, Dibra e Kukësi.

“Të gjithë e dimë që Shqipëria ka numrin më të lartë të bar-kafeneve dhe restoranteve. Ka një raport të fundit ku thuhet se pas pandemisë në botë pati një tkurrje të numrit të bareve dhe kafeneve, ndërsa në Shqipëri u rritën”, tha Shpëtim Agolli, ekspert për ekonominë.

Shqipëria thyen rekorde edhe në drejtim të shpenzimeve në bare dhe lokale. Mesatarisht në një vit një shqiptar shpenzon 270 euro, niveli më i lartë në Rajon, Europë dhe më gjerë.

“Shqiptarët rezultojnë që e pëlqejnë të shpenzojnë kohë në kafe më shumë se pjesa më e madhe e vendeve europiane, teksa në vend të tretë renditet Kosova, me 11.2% të subjekteve që e ofrojnë shërbimin ushqimor dhe të pijeve. Më pak renditen shtete që e kanë të lidhur ekonominë me aktivitetin e turizmit, si Mali i Zi (11%), Qipro (10.8%), Spanja (10.6%), Greqia (10%)”, theksoi Agolli.

Kafenetë dhe restorantet përbëjnë 16 për qind të ndërmarrjeve në ekonomi, punësojnë rreth 50 mijë individë. Rreth 64 për qind e atyre që punojnë në bare e restorante janë meshkuj. Sektori është ndër më të rëndësishmit për punësimin, duke u krahasuar me industrinë e tekstileve e këpucëve, që ka gjithsej rreth 55 mijë të punësuar.

(A2 Televizion)