Ka një qasje qesharake të ndjekësve të Berishës lidhur me statusin e tij si familje “non-grata” e nisur kjo që nga administrata e parë Trump dhe e bitisur në administratën Biden, sikur tashmë era Trump fryu edhe nga këto anë dhe kjo ka trembur gjykatës e qeveri dhe shumë shpejt do kemi demokratët në dovlet.
Bën vaki ndodh, por kjo nuk ka lidhje me çfarë ndodh në Uashington, por nëse iu mbushet mendja shqiptarëve t’i votojnë. Kjo pasi së pari Trump nuk është një perandor.
Larg qasjes publike të një monarku të votuar me mandat, presidenti amerikan është një nëpunës i votuar, me kompetenca ndaj administratës më pak sesa ato të Bajram Begaj i cili fundja edhe emëron ambasadorë, kurse Trump duhet të kalojë nga gijotina e Kongresit dhe Senatit.
Trump bën vaki edhe ka merakun t’i heqë “non-gratën” Berishës, por puna është që atij nuk është se i ecën shumë fjala në një administratë e cila lëviz në shina të tjera nga qejfet e presidentit, e që në fakt është ajo që përcakton kursin e politikës së SHBA-së në përgjithësi dhe asaj të jashtme në veçanti.
Ja p.sh ca raste kur Trump në mandatin e parë bëri ca premtime, të cilave askush nuk ia fërshëlleu, madje i dolën kundra. Trump u zotua për një hapje ndaj Rusisë.
-Në ato mote, kongresi miratoi edhe 3 paketa sanksionesh kundër Rusisë.
-U zotua të zvogëlojë numrin e ushtarëve amerikanë jashtë SHBA-së.
-Në fakt jo vetëm që nuk u zvogëluan, por u shtuan 2.500 në Gjermani.
U zotua te frenojë emigracionin.
-Ne mandatin e tij hynë më shumë emigrantë se në periudhën Obama. Premtoi se do të ngrinte mur në kufi me Meksikën që do ta paguante Meksika.
-Ngriti vetëm 70 km i gjithi me para amerikane dhe i duhen edhe 1.000 km të tjerë.
Propozoi te ulte deficitin tregtar.
-Kur iku, deficiti ishte rritur, veçanërisht me Kinën.
Administrata federale ka 5 milionë nëpunës dhe është ngritur nga themeluesit e atij shteti, pikërisht që të shmangë zigzaget që mund të pësojë nga humori i votuesve apo aksidente si rasti Trump.
Në Uashington, i cili është një qytet administrativ, Kamala Harris fitoi me 92% të votave. Kjo tregon sesa “kollaj” do ta ketë Trump të imponojë vullnetin e tij.
Kërcënimi për reforma administrative duke emëruar Elon Musk në krye të një ministrie që akoma nuk ka shofer, mbetet për t’u parë. Por Musk është personi më i pasur i botës, por edhe nuk është aspak në qejf nga Pentagoni që ka sindozot nja 3.5 milionë personel dhe 850 miliardë buxhet dhe shërbimet sekrete që nuk harrojnë se është i huaj dhe shpesh ka fërkime me ta.
Ndaj në Tiranë më shumë ngjajnë me gomarin që ndërsa po e shqyente ujku, thoshte “Zot, bëje ëndërr”