MENU
klinika

“Djaloshi i artë”

Kol Palmer hyn në listën e legjendave të Çelsit

04.12.2024 - 12:40

Kol Palmer nuk ka fituar ende asnjë trofe për t’iu bashkuar legjendave moderne të Çelsit, por ai është kthyer në një yll në “Stamford Bridge” me shpejtësi rekord.

22-vjeçari e përfundoi ndeshjen e tij të 60-të të Bluve me një gol, një asist dhe çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes në fitoren 3-0 ndaj Aston Vilës të dielën. Ishte goli i 33-të i Palmerit dhe asisti i 21-të që nga transferimi i tij prej 40 milionë paundësh nga Mançester Siti në fillimin e sezonit të kaluar. Në vitin e tij debutues në Londrën Perëndimore, ylli anglez shënoi 22 gola dhe kjo e vendosi atë pas Erling Halandit në krye të listave të golashënuesve të Premier Ligës.

Por ai e ka ruajtur formën e tij të shkëlqyer edhe këtë sezon, duke shënuar tetë gola në 13 ndeshje. Instinkti i mesfushorit sulmues për golin do të thotë se ai mund të krahasohet vetëm me sulmuesit. Goli spektakolar i tij në fitoren kundër Vilës ishte i 30-ti personal për Blutë në Premier Ligë dhe në vetëm 46 ndeshje. Vetëm Xhimi Floid Haselbaink e ka arritur këtë shifër më herët për Blutë (në vetëm 41 ndeshje). Kjo statistikë mbresëlënëse do të thotë se ai ka shënuar 30 gola në dy ndeshje më pak se Diego Kosta dhe 21 më pak se Didier Drobga. Që të dy sulmuesit legjendarë i udhëhoqën Blutë drejt titullit në sezonin e tyre të parë në klub.

Kur vjen fjala te golat dhe asistet në një vit kalendarik, numri 20 ka nevojë për tre të tjerë për të vendosur një rekord të ri për klubin. Palmer ka regjistruar 34 gola, ndërsa në 2024 do të luhen edhe 6 ndeshje në Premier Ligë. Haselbaink, i cili e vendosi këtë rekord në 2001, e mban atë me 36 gola. Që kur Palmeri bëri debutimin e tij me Çelsin në humbjen 1-0 ndaj Notingem Forestit në shtator 2023, ai është përfshirë në 47 gola, më shumë se çdo lojtar tjetër. Ai ia ka shënuar çdo skuadre me të cilën është përballur, përveç Liverpulit dhe Lestërit.