Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca e hapi seancën e përbashkët të dy parlamenteve me mesazhin që Shqipëria dhe Kosova kanë dëshmuar unitet përballë sfidave politike dhe gjeopolitike.
Seanca e sotme – tha kryetari i parlamentit të Kosovës- është dëshmi se dy vendet janë me njëra tjetrën pa asnjë kusht.
“Ky përbashkim i yni sot përbën më shumë sesa simboliken. Kjo seancë duhet parë si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën pa asnjë kusht. Ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përvc interesit të kombit që për ne është i përbashkët.
Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ky është bashkëpunim konkret në fushën e ligjvënies.
Përveçse përfaqësojmë një komb, ne synojmë të njëjtën familje. Shqipëria ka ecur në procesin e integrimit dhe ne duhet të mësojmë, pavarësisht masave të padrejta që na ka vendosur BE”.
Ai u shpreh se Kosova po e mbyll këtë vit e sulmuar nga elementë që lidhen me Serbinë dhe që synojnë destabilizimin e brendshëm të Kosovës me metoda terroriste si dhe ato të luftës hibride.
“Sulmi që u bë para pak ditësh në Ibë Lepenc, nuk mund të konsiderohet ndryshe, përvecse si sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si shtet sovran”, tha kryetari i Parlamentit, i cili theksoi se “ky sulm i rëndë vjen një vit pas sulmit tjetër të rëndë, sulmit në Banjskë. Organizatori është Radoicic, i cili mbetet i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi”.