Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani është shprehur se prokurorët e posaçëm gjatë punës së tyre janë përballur me kërcënime, si ndaj tyre, ashtu edhe familjarëve.
Në 5 vjetorin e themelimit të SPAK, Altin Dumani u shpreh se ka pasur përpjekje për të minuar punën e tyre me shpifje e fyerje, por theksoi se “përballë tyre jemi mbledhur bashkë si një trupë e vetme kolegësh, kemi kuptuar e rëndësishme është pavarësia e institucionit ku ushtrojmë detyrën”.
Drejtuesi i SPAK theksoi se nuk mund të ketë zyrtarë publikë të imunizuar nga drejtësia.
Altin Dumani: Ajo që na frymëzon të gjithëve është sa afër ndihemi me publikun, sa i prekshëm është besimi i tyre dhe rrëzimi i një mendësie e cila toleron korrupsionin, ku korrupsioni kalon vjedhurazi në fusha të ndryshme të jetës sonë i pandëshkuara, ku krimi bën plane të legjitimojë pandëshkueshmërinë në hallkat të ndryshme të jetës.
Jemi përpjekur të tregojmë se korrupsioni sfidohet se krimi i organizuar, mund të vihet para përgjegjësisë, se sot nuk mund të ketë zyrtarë publikë të imunizuar nga drejtësia.
Se ligji funksionin dhe të rinjtë mund të shpresojmë fort tek një shtet i së drejtës. Kjo përpjekje e jona nuk ka kaluar pa vështirësi, korrupsioni apo krimi nuk mund të zhduken brenda ditës.
Jemi përballur me përpjekje për të minuar punën tonë, me fyerje, shpifje kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë, por përballë tyre jemi mbledhur bashkë si një trupë e vetme kolegësh, kemi kuptuar e rëndësishme është pavarësia e institucionit ku ushtrojmë detyrën dhe sa e vyer është integriteti gjithsecilit nga ne, nëse dikush mendon ndryshe, gaboheni. Jemi betuar për tu shërbyer vendin.
Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës, nuk kemi kohë për të shpjeguar por për të vijuar me tjetrën. Për këtë duket këmbëngulje. SPAK është më i fortë se është i pavarur.