E prisja që do të lavdëronte profesor Sami Repishtin. Madje, e paralajmërova që ditën që ai u nda nga jeta. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë pendesë ndaj Repishtit apo luftën e pacipë ndaj tij për dekada të tëra, por me traditën e konsoliduar të Sali Berishës, që gjithë armiqtë e tij i lavdëron kur vdesin, për t’i fyer për së dyti.
Kështu ka bërë me gjithë drejtuesit e PD-së me të cilët ka qenë në luftë të gjatë. Shembulli i parë ishte Azem Hajdari, i cili mund të jetë rekord në historinë e politikës botërore. Për tetë vite në politikë, ai ishte në luftë të përditshme me partinë që themeloi, për shkak të Sali Berishës, dhe nuk provoi asnjë ditë të pushtetit të saj. I hoqi imunitetin, e çoi në gjykatë, e përjashtoi nga Këshilli Kombëtar, e përjashtoi nga PD-ja, dhe më pas e akuzoi si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, deri sa e nxorri në pritë. Pastaj filloi të qajë për të dhe vazhdon akoma.
E njëjta histori me Gramoz Pashkon, të cilin e përzuri nga PD-ja më 1992 dhe nuk e la të afrohej deri më 2005, duke e rrahur fizikisht dhe duke i sulmuar edhe vajzën me bandat e tij. Pastaj, më 2006 e më pas, kur ai u nda nga jeta, e quajti lider të madh të PD-së.
Njësoj u soll edhe me Pjetër Arbnorin. E braktisi pas humbjes së tij personale më 2005, e izoloi dhe e la të vdiste në vetmi një vit më pas. Pastaj u kujtua t’i vinte emrin një salle në PD.
Sokol Olldashi gjithashtu. U prish me të në muajt e fundit të pushtetit, e kërcënoi gjatë fushatës së brendshme në PD përballë Lulzim Bashës, izoloi njerëzit e tij në PD dhe për vite të tëra pas vdekjes nuk e përmendi armiqësinë me të, derisa doli Lulzim Basha “besëprerë”. Pastaj filloi të “qante” për Sokol Olldashin.
Të njëjtin zakon kishte dhe me partnerët e tij politikë. Leka Zogun e keqpërdori në vitin 1997, pastaj u mllefos me të, pse u rikthye me ndihmën e Ilir Metës në Shqipëri, dhe e luftoi. Sapo vdiq, e lavdëroi dhe madje i ngriti bustin e babait të tij, mbretit Zog, në Burrel dhe Tiranë.
Akoma më emblematike, ishte sjellja me Sabri Godon, të cilin e urrente rregullisht që nga viti 1991. Për hir të së vërtetës, as Godo nuk kishte ndonjë ndjenjë dobësie ndaj tij, përveçse e konsideronte si personazh të zbritur nga malet. Sapo vdiq, e shpalli mik të tij dhe madje i ngriti edhe bust.
Kulmi i kësaj hipokrizie ishte me Ibrahim Rugovën, me të cilin praktikisht që nga fillimi i vitit 1996, ishte në luftë të ftohtë. Arsyeja ishte e thjeshtë: Berisha kishte hyrë në luftë me SHBA, ndërsa Rugova ishte në kulmin e raporteve të Kosovës me SHBA. Për të shpëtuar nga ndëshkimi i SHBA-ve, Berisha donte të përdorte çështjen e Kosovës si mundësi që SHBA të mos e izolonte. Ibrahim Rugova nuk pranoi që axhenda e Kosovës të përdorej nga aleatët e Sali Berishës. Ky u tërbua dhe kërkoi ta rrëzonte, duke ftuar në ndihmë Albin Kurtin dhe më pas edhe Lëvizjen e Studentëve në Prishtinë kundër tij.
Ibrahim Rugova ndërpreu kontaktet me të dhe refuzoi ta priste atë në vitin 2000 në Kosovë, duke autorizuar KFOR-in ta kthente nga kufiri në Morinë. Rugova nuk e priti në Kosovë deri sa vdiq. Ditën që vdiq, Sali Berisha “takohet” me Ibrahim Rugovën të vdekur dhe bën atë që ka bërë me të gjithë ata që i ka luftuar: qan për ta.
Ky ves i tij, që të qajë për armiqtë e tij pasi vdesin, në fakt është treguesi më i qartë i karakterit të tij pervers dhe i makthit që ai ka ndaj kundërshtarëve që nuk i përkulen. Të gjithë ata që ai nuk i ka mundur dot, apo që nuk e kanë përfillur, por e kanë injoruar, përpiqet t’i harrojë duke i barazuar me veten pas vdekjes, për të shuar rezistencën e tyre ndaj tij dhe për t’i bërë të duken njësoj si ai. Është e vetmja mënyrë që e qetëson dhe i lehtëson tërbimin ndaj tyre, të cilët kanë ikur nga kjo jetë pa e përfillur atë.
Duke i lavdëruar kur ata vdesin, kur janë të pafuqishëm të ngrihen nga arkivoli e ta pështyjnë në fytyrë, dhe duke përdorur pasardhësit e tyre shpesh të dobët e të pafuqishëm për të vazhduar atë që kanë bërë të afërmit e tyre, ai hakmerret me pafuqinë e tyre si të vdekur, duke i rreshtuar pas vetes si “miq” të tij – një gjë që ata nuk e kanë dashur kurrë gjatë gjithë jetës së tyre.
Ndaj, një nga të mirat e vdekjes pas Berishës është që mund t’i shpëtosh këtij ndëshkimi të pabesë të tij. Por, për të qenë të sigurtë, pasi jetës nuk i dihet, lëreni amanet që, edhe nëse vdisni para tij, të mos lejohet të flasë për ju. Profesor Sami Repishti gati e kishte lënë me shkrim një mesazh kundër tij:
“Unë largohem nga kjo botë me shqetësimin se Shqipëria lëkundet në mes të së vjetrës që nuk jep shpirt dhe së resë pa fuqi për të lindur. Unë do të lutem për një rilindje premtuese – me ndihmën e Zotit!”
Por “i vjetri që nuk jep shpirt” përsëri nuk u ndal dhe ia ndyu edhe amanetin.