Meteorologia Lajda Porja bëri një parashikim të motit për gjatë kësaj javë në një lidhje për Euroneës Albania, ku është shprehur se këtë të hënë temperaturat janë mjaft të ulëta dhe është dita më e ftohtë e javës.
“Ballkani është me diell. Sot temperaturat janë mjaft të ulëta dhe është dita më e ftohtë e javës. -4 gradë shënon Peshkopia, -3 gradë shënojnë zonat në qarkun e Korçës, 3 deri në 4 gradë janë zonat e ulëta, 5 deri në 6 gradë shënon bregdeti, ndërsa temperaturat maksimale do të ngjiten në 14-15 gradë. Dielli do të jetë prezent gjatë gjithë ditës pothuajse dhe me vranësira të lehta dhe nuk do të ketë reshje”, tha meteorologia.
Porja theksoi se deri të enjten do kemi prezencë të diellit por situata në fundjavë do të ndryshojë.
“Të paktën deri ditën e enjte koha do të jetë me diell, pra do të ketë ndryshim situata termike nga nesër deri të enjten, mëngjeset do të jenë më të ngrohta. Zonat malore mbeten në temperaturat 0 dhe -1 gradë, në fshatra dhe në zona të thella, rriten vlerat maksimale për shkak se rrezatimi diellor do të jetë dominant gjatë gjithë paradites duke bërë që temperaturat të ngjiten deri në 17 gradë.
Ndryshon situata ditën e premte dhe në fundjavë, vendoset një tjetër sistem vranësirash duke na sjellë reshje. Rikthehen dhe reshjet e dëborës, por më pak reshje do të ketë dita e diele”, tha Porja. Meteorologia shpjegoi se kjo javë nga e hëna në të enjte, moti do të jetë me diell dhe nga e premtja në të diel do të jetë me reshje.