SEJDO HARKA /Ismail Kadare, ky gjeni i letrave shqipe, me universin e tij krijues, ka marrë dimensione botërore, jo vetëm si një shkrimtar i shumëlexuar dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës, por edhe më i vlerësuari nga personalitetet dhe qarqet më të larta letrare e artistike, si brenda dhe jashtë vendit. Ai, siç ka shkruar edhe shtypi botëror, me artin e tij të rrallë, duke marrë çmimin “Boker”, mundi edhe “titanët” e letërsisë ndërkombëtare. Me magjinë e fjalës artistike dhe karakteret e gdhendura në galerinë e prozës së gjatë, Kadare, edhe pse sot nuk jeton fizikisht, vazhdon të frymojë gjallë. Arti dhe letërsia e tij, duke “shpuar” tejpërtej globin, vazhdon të ndërtojë ura të reja lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj botërore.
ANKTHI I MISTEREVE, QË S’U ZBULUAN KURRË
Ç’íshin ata tinguj, muzikë, apo krisma mitralozash…?!
Kjo pyetje enigmatike, mbushur plot ankth e mister, bëhet objekti kryesor i subjektit të romanit , me titullin intrigues “Darka e gabuar” të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Edhe pse narracioni i romanit është mbështetur në një ngjarje të vërtetë të marrë nga Lufta, që vite më parë ka trazuar Gjirokastrën, e hetuar për një kohë të gjatë, herë haptazi dhe herë fshehurazi, e vërteta e asaj darke, edhe sot e kësaj dite, ka mbetur e mbuluar nga terri i enigmave të frikshme. Romani, si një vepër artistike, ndonëse bën përpjekje për të zbuluar enigmat, si synim kryesor ka të përçojë pështjellimet shpirtërore dhe ankthin që shkaktojnë misteret, jo vetëm tek njerëzit që i përjetuan, por edhe te brezat e ardhshëm. Autori, për të zbuluar misteret që e mbuluan atë darkë, përdor shumë versione, teza e hipoteza, të cilat, nga mënyra se si i parashtron, të mbushin me ankth e kërshëri për ta lexuar romanin me një frymë. Po cilët janë këto mistere?!
Ngjarjet e romanit zënë fill me kapitullimin e Italisë fashiste dhe ardhjen e nazizmit gjerman. Veprimi intrigues i romanit fillon kur në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, pararoja gjermane që vinte nga Greqia, u qëllua papritur me armë. Që në këto çaste lind pyetja, nga e cila burojnë të gjitha enigmat e tjera që e mbulonin atë darkë me ankth dhe mister. Përse kishin ardhur gjermanët, si pushtues, apo si çlirues nga fashizmi italian?! Qëndrimet ndaj shkelësve gjermanë u ndanë më dysh. Komunistët kërkonin luftë me ngut ndaj tyre, ndërsa kombëtaristët s’ishin kundër, por as zjarri as ngutja s’u pëlqenin. Sipas këtyre të fundit, gjermanët, vërtet ishin pushtues, por dhe Rusia, s’qe më e mirë. Prej këtej burojnë shumë pyetje të tjera: Kush e kishte qëlluar pararojën gjermane?! Po cohën e bardhë, kush e kishte ngritur, në shenjë paqeje dhe mikpritjeje?! Enigma e parë do të sqarohej shpejt, sepse ishin të shumtë ata, që do të krenoheshin për këtë bëmë, të kthyer në legjendë. Ndërsa njeriu i cohës së bardhë, siç shkruan autori, do të zhytej përherë e më thellë në terr, sepse sapo të shfaqej, e priste ferri. Prandaj, jo vetëm dora, por as dritarja e shtëpisë, ku ishte tundur coha e bardhë, nuk mund të gjendej kurrë. Në brendësi të këtyre enigmave fshihen misteret e asaj darke, në shtëpinë e doktor Gurametos së Madh.
Për Kadare, vetë krijimi artistik, është një paradoks, ashtu si paradoksi është një realitet i krijuar mbi paradokse, por më reale se realja, më e vërtetë se e vërteta. Vetëm një penë, si ajo e I. Kadare-së, mund të kalojë nga e vërteta te paradoksi dhe anasjelltas. Për t’ia arritur këtij qëllimi, autori përdor me mjeshtëri mitet dhe mitologjinë. Herë i çmitizon mitet, herë mitizon ngjarjet reale e qeniet e ndërgjegjshme. Vetë “darka” është një paradoks, mbasi ajo bëhej ditën, kur Shqipëria pushtohej nga gjermanët.
Është kjo arsyeja që tek njerëzit, bashkë me tingujt e gramafonit, përçohen edhe ethet e shpjegimit të darkës. Prej këtej burojnë pyetjet torturuese: Ç’ishte, në të vërtetë, ajo darkë? Ç’ishin ata tinguj, muzikë apo krisma mitralozash?! Thashethemnajat e qytetit i jepnin kësaj enigme këtë shpjegim: Ose doktor Gurameto i Madh u krekoset gjermanëve, duke u thënë se, ju po vini të na pushtoni, ndërsa unë bëj dasmën e vajzës, ose u bën karshillëk partizanëve, duke iu drejtuar se, ju po i prisni me plumba, ndërsa unë me muzikë e bukë.
Kadareja, duke qenë mjeshtër i përdorimit të miteve, ngjall të vdekurit dhe vdes të gjallët. Te dera e darkës shfaqet i vdekuri me ftesë në dorë, duke thirrur: “Ja, ku erdha! “Prej këtij çasti, ethet e mistereve të darkës bëhen më ngjethëse. Ç’ishte në të vërtetë ajo zallahi, që nga disa quhej “darka e turpit” dhe nga të tjerët “darka e ringjalljes”? Kishte pasur vërtet një pritë, që nga komunistët quhej heroike e nga nacionalistët, provokim?! Apo ishte një sajesë e gjermanëve, për të përligjur terrorin? Darka ishte bërë një mister, që fillonte si një legjendë e moçme.
Ftesa e rënë mbi varr, ardhja e meitit në shtëpinë e Guarametos, lirimi pjesë-pjesë i pengjeve, të fut në botën e përrallave mistike, për t’i nxjerrë në paradaokset e botës reale. Vargjet e Veip Qorrit :”Doktor, ç’bëre atë natë, / thirre meitin për darkë”, të çon te pyetja: “Kush ishte Kolonel Fritz, shoku i tij i shollës, apo ndonjë tjetër”? Nëse ishte tjetër, pse nuk ia tha doktor Guarametos të vërtetën?! Misteret e asaj darke i shton edhe fakti, se si u larguan gjermanët nga qyteti. Ata ikën, as me shenja turpi, as me shenja krenarie. Me të shkelur në qytet, partizanët u vunë prangat dy kirurgëve, ashtu siç ishin të gjakosur në sallën e operacionit. Hetimi i Guarametove u bë objekti i hetimeve të 11 shërbimeve sekrete të vendeve komuniste. Ai u bë, paralelisht, në dy mënyra: i fshehtë dhe i hapur.
Njëri prej hetuesve ishte përgjegjës i shtëpisë së kulturës, ndërsa tjetri, që ishte absolutisht i panjohur, kishte hedhur dyshimin se darkë s’kishte pasur fare, por ishte gramafoni që rrotullohej bosh në një vend tjetër, për të humbur gjurmët. Kurse mbledhja e fshehtë, e paraqitur si darkë, bëhej tjetërkund. Tani, hetimi i darkës lidhej me të vdekurin, i cili për t’u maskuar, ishte veshur me pallton e oficerit gjerman. Misteret e asaj darke bëhen më intriguese, kur hapet lajmi se në Gjirokastër do të bënte një vizitë Stalini dhe pas tij, kundërlajmi se, Stalini nuk do vinte. Mosardhja e tij u shoqërua me shumë pikëpyetje. Në vorbullën e etheve të tyre, dy Gurametot arrestohen dhe lidhen dorë për dore, për t’u dërguar në burgun e Guvës së Shanishasë, që hapej posaçërisht për dy doktorët, pas 150 vjetësh.
Pyetja që del natyrshëm, është: Ç’kishin bërë kirurgët?! Ankthi shtohet më tepër, kur merret vesh se dy hetuesit, Shaqo Mezini dhe Arian Ciu, që do të merren me hetimin e dy doktorëve, kanë kryer shkollën e policisë së fshehtë, “Xherxhinski”, në Moskë . Për ta bërë atë darkë sa më të mistershme, hapet lajmi i komplotit të bluzave të bardha. Sipas tij, grupi i mjekëve, i drejtuar nga qendra hebraike “Xhons”, përgatitej të bënte zhdukjen e udhëheqësve të vendeve komuniste, duke filluar nga J. Stalini.
Kjo paskësh qenë arsyeja, që ai s’erdhi në Gjirokastër . Kirurgët akuzoheshin për pjesëmarrje në këtë komplot. Në një version, thuhej se ajo vizitë s’do të bëhej kurrë. Synimi ishte kurthi ndaj qendrës hebraike “Xhons”. Sa herë që Gurameto i Madh tregon për ftesën, në darkën e mistershme, hetuesit ia presin: “Këto i dimë, vazhdo më poshtë”.
Darka ishte vërtet një mister. Ajo mund të qe përgatitur edhe nga vetë gjermanët. Pyetja, që buron prej këtej, është: Si ka mundësi që, një kolonel nazist, liron pengun hebraik, Jakoel?! Ç’ishte ajo darkë?! Mos qe një komplot botëror?! Hetuesi rus shtron pyetjet, para Guarametos: Ç’kishte folur atë natë, vesh më vesh me mysafirin e huaj?! Pse ndjehej i barabartë me kolonelin gjerman?! Nëse kjo histori ishte një përrallë, kush mund ta kishte shpikur, shqiptarët apo gjermanët?! Imagjinatën e lexuesit e vë në lëvizje shprehja :”Do ta dëgjosh ndryshe këtë muzikë”, të pëshpëritur nga “i vdekuri”, Fritz dhe deduksioni i kirurgut, drejtuar kolonelit: “Unë s’jam Shqipëria, ashtu si ti, që s’je Gjermania”
Prej këtej del konkluzioni se “darka” mund të qe një lojë e shërbimeve sekrete të botës. Shumë pikëpyetje ia shtojnë misteret asaj darke. Qysh në çastin, kur koloneli gjerman shfaqet si banor i botës tjetër, mbi darkën bie terri. Hetuesi Shaqo Mezini kërkon të bëhet i famshëm, zbulues i parë i komplotit të organizatës hebraike “Xhons”, që gjoja synonte zhdukjen e liderëve komunistë të botës. Prandaj i kërkoi Guarametos së prangosur të pohonte, se bënte pjesë në këtë organizatë famëkeqe. Por ai nuk e pranon kurrë. Stalini vdes! Në rrugë dëgjohen britma fatkeqësh, që i zvarrisin prej flokësh, sepse në vend që të qanin, as vetë s’e dinin pse e qara u qe kthyer në ngërdheshje.
Kështu i ndodhi dhe doktor Guarametos, i cili në çastin kur kërkon të tregojë misteret e darkës, qëllohet për vdekje nga hetuesit e tij, për t’i varrosur bashkë me të dhe të fshehtat e asaj darke të çuditshme. Hetimet hapen dhe rihapen, por të fshehtat vazhdojnë të treten nën dhe. Ndërsa “i vdekuri”, doktor Guarameto i Madh, ngrihet për të shkuar atje, ku e ftojnë për darkë. Kërkon të kthehet atje, për të hequr nga varri, atë ftesë të mallkuar që të ndërrojë fatin. Por kjo është e pamundur. Brendia e këtij romani është një trokitje në misteret e kohës. Ajo darkë e mistershme, që u bë objekt i hetimeve të gjata, herë të tërthorta e herë të drejtpërdrejta, duket sikur s’ka për të mbaruar kurrë. Shumë darka, jo vetëm të gabuara, por edhe të frikshme, të mbuluara plot mistere, bëhen edhe në ditët tona. Sapo e mbaron së lexuari këtë roman, mendja të shkon tek shumë mistere dhe enigma të kohës, që e mbajnë shoqërinë në ankth, ndërsa njeriun e kthejnë në një lodër të fatit. Edhe pse shoqëria jonë ka afërsisht rreth 35 vite që jeton në të ashtuquajturën demokraci, përsëri vazhdon të jetë e zhytur në tymnajën e shumë enigmave dhe mistereve.
KOHA DHE DITA MINUS NË ROMANIN “DARKA E GABUAR”
Koha është një nocion i universal, por në konceptin filozofik të shkrimtarit I. Kadare ajo ka, jo vetëm natyrën absolute, por edhe atë relative. Ajo ecën gjithnjë përpara, nga e kaluara në të ardhshmen. Por ajo mund të kthehet edhe mbrapa. Mund të marrë vlerat plus, zero dhe minus. Kjo varet nga njerëzit dhe interesi që ata kanë për kohën. Prandaj, për Kadarenë, ka ditë plus, ditë zero dhe ditë minus. Koha, orët, ditët, vitet ecin përpara. Ndërsa njeriu dembel e pa vizion, herë e gozhdon kohën në vend, herë e shumëzon me zero dhe herë e kthen atë në ngricat e minusit. Interesante është fakti, se si autori e koncepton kohën me sytë e mendjen e të burgosurve dhe të operuarve, të cilët, pas narkozës zgjohen në ditët e një realiteti tjetër: “Ne u ngrimë, dolëm jashtë kohe” -thonë ata. Mirëpo, kohës aq i bën. Ajo s’të pret, ecën. Kështu vjen dita zero. Kohë minus, për Kadarenë, quhet edhe koha e rendit komunist, që ndërtohej nga njerëzit e 7 “jo”-ve. Ditët, jo vetëm që kishin mbetur në vend, por edhe rendnin si të azdisura mbrapsht. Ishte koha, kur thuhej se Stalini, i ashtuquajturi “Babai i botës së re”, në vend që të plakej, po rinohej. Vitet filluan të numëroheshin mbrapsht, sepse edhe bëmat e Stalinit ishin të mbrapshta, sepse sillnin vetëm regres shoqëror. Koha, sistemi dhe ligjet e tij nuk varen nga emërtimi që i bëjnë ithtarët, të cilët i fabrikojnë, por nga dobia që i sjellin shoqërisë. Një sistem mund të vetëquhet i ri, vizionar, por në fakt ai është një kthim mbrapa, vrasës i vlerave të kohës dhe i të ardhmes. Këto mbrapshti mund t’i sjellin, jo vetëm diktatorët, por edhe njerëzit egoistë, dembelë, pa vizion e të korruptuar.
KARAKTERET-HIJE DHE TË DYZUARA
Dyzimi i personazheve është bërë, tashmë, një përparësi e mënyrës së tipizimit të karaktereve, në shumë vepra të Kadare-së. Por, mënyra se si i dyzon, ndryshon nga një vepër në tjetrën. Në këtë roman, pothuajse, të gjitha karakteret janë figura-hije të dyzuara. Të tillë janë: dy kirurgët, Guarameto i Madh dhe Guarameto i Vogël; dy Kolonelët, Fritz dhe Klaus; hetuesit Shaqo Mezini dhe Arqile Ciu; Stalini dhe Prijësi(E. Hoxha).
Sipas hetuesit rus, dy kolonelët e plagosur gjenden rastësisht në një spital fushor. Fritzi, i plagosur rëndë, pa shpresë, ndërsa tjetri, Klausi, lehtë. Klaus-i pret ta dërgojnë në një front të ri, ndërsa Fritzi, pret vdekjen. Ashtu, “i vdekur”, vjen në Gjirokastër dhe troket në darkën e çuditshme, misteret e së cilës do të bëhen objekt i hetimeve të gjata. Këto dy figura janë shëmbëlltyra të njëra-tjetrës. I gjalli merr pamjen e të vdekurit dhe i vdekur flet me gjuhën e të gjallit. Të dy janë mbrojtës të “Urdhrit të Hekurt”. Të dy janë hije të njëri-tjetrit, jo vetëm se janë përfaqësues të nazizmit, por edhe sepse, si i gjalli ashtu dhe i vdekuri, janë inekzistentë, janë lodër në duart e ustallarëve, që i përdorin si gurët e shahut, në një lojë që luhet mbrapa perdeve të një skene, sa të frikshme, aq edhe të mistershme. Hije të njëri-tjetrit janë dhe dy kirurgët.
Ata dallojnë nga njëri-tjetri, vetëm nga nofkat, “i Madh” dhe “i Vogël”, të cilat i kishin marrë nga thashethemet e qytetit. I pari, thirrej “i Madh”, jo vetëm sepse ishte më i madh në moshë, por edhe sepse ishte progjerman, ndërsa tjetri, “i Vogël”, sepse ishte mbështetës i Italisë, e cila tashmë kishte kapitulluar. Pikërisht, kjo gjë kishte shkaktuar shemërimin e tyre. Dy mjekët i bashkon fakti, që të dy janë mbështetës të pushtuesit të huaj. Ata s’janë gjë tjetër, veçse dy gurë shahu, që lëvizin në një fushë të minuar, por që në fakt nuk ekziston. Në një farë mënyre, të gjithë ata nuk ekzistojnë, prandaj shfaqen si hije të njëri-tjetrit. Të dy prangosen në të njëjtën kohë, dorë përdore, por gjatë hetimeve përgjigjet vetëm njëri.
Më në fund, zbulohet se Guarameto i Vogël nuk ekzistonte, jo vetëm mendërisht, por edhe fizikisht, gjë që e zhyt më thellë të vërtetën mbi atë darkë të gabuar. Interesant është tipizimi i dyzuar i dy hetuesve, që kanë marrë përsipër të zbulojnë misteret e asaj darke të frikshme. Ndërsa Shaqo Mezini është më aktiv në procesin e hetimit, Arqile Ciu, shfaqet si inaktiv e shpesh si kopje e tij. Të dy, s’janë gjë tjetër veçse vegla qorre, që punojnë për llogari të shërbimeve sekrete të botës, për të hedhur mjegullsirë të padepërtueshme, mbi atë darkë të stisur e të mbuluar me mistere. Guarameto i Madh shfaqet më shumë i vdekur se sa i gjallë, sepse kur ishte i gjallë, ia mbyllën gojën me tortura e plumba pas shpine. Pas 40 vjetësh. “Një dëshirë e çmendur i vjen të kthehet për ta larguar ftesën nga varri, mbi të cilin ka rënë. Të kthejë mbrapsht kohën dhe dorën e fatit”(fq. 206).
Ndoshta, dyshja Stalin-Prijës(Enveri) duket si episodike, por në fakt është një dyzim, prej të cilit buron thelbi i konfliktit të romanit. Ata janë dy idhuj, që shpesh shkrihen në një, sepse janë ata, që thurën fijet e merimangave helmatisëse. Për të shprehur idenë se Prijësi(Enveri) s’qe gjë tjetër, veçse një shtojcë e deformuar e Stalinit, autori nuk do t’i përmendë as emrin. Janë këto shtampa të deformuara, që me metoda terrori e survejimi, e tjetërsuan njeriun në kufomë.
Si tipar thelbësor i karaktereve të këtij romani është kalimi i kufijve të reales drejt legjendës. Personazhet e këtij romani, në thelb, e kanë një konflikt të brendshëm, që fillon si parandjenjë dhe pastaj i çon në tragjizëm. Autori, në këtë roman e përdor me mjeshtëri digresionin. E kaluara duket sikur ka hipur në kuriz të së sotshmes, për t’i folur të ardhmes. I gjalli udhëton me të vdekurin dhe i vdekuri me të gjallin.