MENU
klinika

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!

21.12.2024 - 13:00

Nga 1 gushti i vitit 2025 në vendin tonë do të lejohet gjuetia në disa zona të paracaktuara. Kështu thuhet në projektligjin më të fundit “Për gjuetinë” të Ministrisë së Mjedisit në të cilin bëhet me dije se do të ketë ndëshkime në formën e gjobave deri në 1.3 milionë lekë.

Përkatësisht gjuetia në zonat e ndaluara për gjueti, dënohet me gjobë, në masën 500 mijë lekë deri në 1 300 000 lekë.

“Gjuetia e kafshëve të egra, që nuk janë në listën e llojeve, objekt gjuetie sipas pikës 2 të nenit 4 dënohet me gjobë, në masën 500 000 lekë deri në 1 300 000 lekë.

Ushtrimi i gjuetisë në vendet e ndaluara për gjueti sipas pikës 1 të nenit 15 dënohet me gjobë, në masën 200 000 lekë deri në 650 000 lekë. Ushtrimi i gjuetisë pa pasur me vete lejen e gjuetisë sipas pikës 2 të nenit 36, dënohet me gjobë, në masën 130 000 lekë. Ushtrimi i gjuetisë pa pasur leje të vlefshme gjuetie sipas pikës 3 të nenit 36 dënohet me gjobë, në masën 400 000 lekë”, thuhet në projektligj.

Më tej në këtë të fundit bëhet me dije se vrasja apo zënia e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, duke përdorur mjete dhe metoda, teknika dhe mjete të ndaluara në, dënohet me gjobë, në masën në masën 500 000 lekë deri në 1 300 000 lekë.

“Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me dënim kryesor me gjobë, si më poshtë: veprimet e ndaluara në gjueti sipas pikës 1 të nenit 41 dënohen me gjobë në masën 400 000 lekë deri në 800 000 lekë; kapja, vrasja apo apo zënia e individëve të llojeve të shqiponjës sipas pikës 2 të nenit 41, dënohet me gjobë, në masën në masën 1 300 000 lekë; kapja, vrasja ose shfarosja e faunës së egër dhe popullatave të tyre duke përfshirë vezët e tyre sipas pikës 3 të nenit 41 dënohet me gjobë në masën 1 000 000; ushtrimi i gjuetisë me armë, që nuk lejohen për t’u përdorur si armë gjuetie sipas pikës 1 të nenit 42 dënohet me gjobë, në masën 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë”, nënvizohet në projektligj.

USHTRIMI I GJUETISË

Gjuetia duhet të ushtrohet vetëm brenda sezonit të hapur për gjueti duke respektuar periudhën e riprodhimit derisa të vegjlit të ndahen nga nëna, dhe të folezimit derisa të vegjlit të mësojnë të fluturojnë, që përcaktohet sipas kritereve gjeografike, klimatike dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë.

Për çdo vit, ministria publikon hapjen e sezonit të gjuetisë në faqen e saj zyrtare. Kohëzgjatja e gjuetisë sipas llojeve, si dhe ditët e lejuara për gjueti, brenda sezonit të gjuetisë, caktohen me urdhër të ministrit.

“Rezervate të mbarështimit shpallen territore të pyjeve dhe kullotave, jo më të vogla se 50 ha, në të cilat fauna e egër mbarështohet në gjendje gjysmë të egër me ndërhyrjen e njeriut me ushqim, me kushte strehimi e shumimi.

Krijimi i rezervateve të mbarështimit mbështetet në këto kritere: zona të ketë qenë tradicionalisht habitat i llojeve që do të mbarështohen; sipërfaqja e saj të jetë biologjikisht e mjaftueshme për jetesën normale të llojeve; zona të plotësojë kushtet për ushqim dhe riprodhim; shtimi dhe ripopullimi të bëhen me lloje vendase tradicionale; të përcaktohen qartë në terren dhe në harta kufijtë e zonës. Rezervatet e mbarështimit shpallen me urdhër të ministrit”, thuhet në projektligj.

Këto zona do të jepen me qira tek persona fizik ose biznese, përmes një konkurrimi publik, dhe afati i kontratës do të jetë 10 vite. Qiraja e zonës do të jetë sa 50% e vlerës së gjuetisë vjetore të kafshëve të egra e llogaritur sipas çmimeve të tregut. Por për fazën e konkurrimin do të caktohet një çmim tavan.