Ngjarja më e bujshme e javës së fundit pa dyshim ka qenë ndryshimi i masës së sigurisë për ish-kryeministrin e akuzuar për privatizimin e paligjshëm të Kompleksit Partizani, si dhe të shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për minim të denokracisë dhe korrupsion madhor. Ishte një vendim i papritur.
Një vendim që, për disa ishte i papritur, të cilin, as vetë Berisha, njeriu i akuzuar, nuk e kishte pritur , e për të tjerë, rrjedhë e natyrshme e gjërave që prej viteve kanë rrjedhur në këtë vend. Me gjithë katrahurën e ndodhur në Shqipëri, mjerisht, asnjë politikan i shkallës sipërore, edhe pse krimet, fajet e dëmet kanë qenë të mëdha, nuk është dënuar.
Çfarë ndryshoi në gjendjen e tanishme të ish kryeministrit shqiptar, që prej 11 muajve ndodhej në arrest shtëpie, të cilin as nuk e respektoi asnjëherë plotësisht, dhe as e detyroi kush ta respektonte? Dukej sikur një ligj i posaçm ishte krijuar pçosaçërisht për të dhe palët, nga njëra anë SPAK dhe, nga ana tjetër Berisha, kishin bërë një marrëveshje të heshtur: SPAK sikur nuk e dinte se çfarë ndodhte në katin e tetë të pallatit ku duhej të ishte në arrestin e tij shtëpiak Berisha, dhe ky i fundit, sikur nuk e çante kokën se çfarë synonte struktura që e kishte burgosur.
Tani ai është i lirë, si ka ndodhur edhe në raste të tjera, ku, pasi ka gjëmuar, mallkuar, leçitur dhe bërë çfarë ka mundur, në fund është ndjerë i lirë dhe i ringritur në kalin e tij të betejës.
Përse është lënë i lirë tani Berisha dhe, nëse ky është vendimi i duhur, i mbështetur në arsye fuqiplota të jurispendencës, kush do të ketë, të paktën përgjegjësi morale, për burgosjen 11 mujore të tij?
Ka tre shkaqe themelore të lirisë së tij:
Së pari, dosja e gjykimit të Aferës së klubit Partizani tani është në gjykatë. Provat janë mbledhur, dëshmitë janë të organizuara, grupi i prokurorëve ka përfunduar mbledhjen e dëshmive, ashtu si mund të ketë edhe prova të reja që mund të paraqiten. Sigurisht është një gjyq i vështirë, jo se çështjet mund të jenë të ngatërruara, por sepse njeriu që do të gjykohet është po Ai , që në këtë vend, në tri dekada e gjysëm ka bërë ligjin plotësisht kur ka qenë në pushtet dhe ka ndikuar e imponuar fuqishëm kur ka qenë në opozitë.
E gjithë filozofia politike e Berishës, që në dhjetorin e vitit 1990, si askund tjetër, ka qenë e mbështetur në dhunë, përplasje, shantazhe dhe egërsi. Kjo frymë, në masë të ndjeshme , është edhe te pasuesit e tij.
Përballja me të vërtetën e asaj që ka ndodhur ka qenë e vështirë, e herë pas here, e pamundur. Mjafton të sillen ndër mend seancat gjyqësore të farsës gjyqësore të 21 janarit, ku gardistët e grumbulluar në sallë bënin gjyqin e pokurorëve, apo, edhe më tej, kur vetë policia e shtetit refuzonte një urdhër ndalimi të prokurorisë, si një grusht shteti i vogël.
Si duket , ka pasur nevojë për një zbutje të klimës që po afrohet.
Ndoshta , fillimi i afërt i gjykimit, përbën edhe shkakun e vendimit. Që, gjithësesi mbetet i dyshuar në saktësinë e tij.
Së dyti, që në krijimin e strukturës së posaçme anti korrupsion, opozita, në të gjithë krahët e saj, është e vendosur të përmbysë atë. Duke mos qenë e aftë të përmbysë ligjet që e kanë krijuar, atë synon ta bëjë përmes kërcënimit dhe leçitjes në emër të veçantë, që, herë pas here, kanë synuar të bëjnë më tepër se sa opozita mendon se e kanë të lejuar. Në mendësinë e opozitës hetimi, gjykimi apo dënimi i shefit të tyre politik është një temë tabu, që nuk mund e nuk guxon të ndodhë.
Berisha gjithnjë, jo vetëm tani, e ka menduar veten të paprekshëm. Kjo e tashmja mund të jetë më e pa rëndësishmja në aktivitetin e tij politik dhe drejtues, por, edhe kaq, është e pa besuar. Sa herë që është ndodhur përpara një mundësie për të qenë subjekt i ligjit dhe i ndëshkimit, ai vetë, ose familja e tij biologjike, tërbimi i Berishës ka qenë i pa fund, i llahtarshëm, i gjithë anshëm, me pasoja për jetën e atyre që kanë pasur të bëjnë me të, por edhe me jetën e vendit. Çdo herë ka ndodhur kështu: edhe në ngjarje të vogla, edhe në të mëdha. Kujtesa nuk mund të shmangë tërbimin e tij parlamentar në rastin e Gërdecit, në 21 janarin, ngjarje që duhej të kishin fundosur përfundimisht figurën e tij politike dhe qenien e tij si drejtues.
Ngjarjet që paraprinë vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë, duan apo nuk duan strukturat e njësive të posaçme të drejtësisë, kanë lidhje edhe me atë që quhet mosbindja qytetare, por që në fakt është thjeshtë fillesa e një rebelimi që të çon drejt përmbysjes së një qeverie përmes dhunës. E aq më tepër presioni ndjehet në strukturat e drejtësisë, ku njerëzit që bëjnë pjesë aty nuk janë as prej hekuri dhe as të pa ndjeshëm.
Së treti, në kulisat e politikës shpesh herë ndodhin lojëra më të mëdha se sa mund të paramendohet nga njerëzit e zakonshëm. Politika e ul perden në çastin ku nuk dëshiron të hapen letrat dhe e e ngre përsëri kur gjërat duken njëjtë si më parë.
Jam larg mendimit se arresti dhe liria e tij janë vepër e Edi Ramës. Të ishte kështu atëherë mjerë opozita. Sepse thjeshtë duhej pyetur : nëse e arrestoi çfarë fitoi dhe, nëse e liron, përsëri çfarë fiton?
Rama nuk ka të bëjë me strukturat e drejtësisë së re, Do të kishte dashur të komandonte edhe aty, por nuk mundet. Jo se nuk do të kishte dashur, por sepse nuk e lënë. Ata që nuk e lënë, në fakt janë më të fuqishëm se ai vetë dhe kanë investuar pikërisht për këtë: që edhe një shef qeverie autokrat, bile drejt absolutizmit qeverisës, të mos ketë mundësi të prishë ingranazhin e saj. Në mos tjetër, ai, Rama, për një mik të vjetër të tij, si Ilir Beqja, do i kishte kthyer prapsht të gjithë ingranazhet e dhëmbëzuara të SPAK , por nuk e bën dot.
Aq më pak për Berishën. Mendimi i opozitës se pas kësaj loje qëndron Edi Rama është naiv dhe i rrezikshëm për vetë atë. Është alibi e humbjes që po e përgatitin vetë, duke e hyjnizuar kundërshtarin në fuqinë e tij marramendëse, dhe duke e vënë veten në pozitën e rajasë, që nuk mund të bëjë asgjë.
Rasti Berisha, edhe pse ende nuk ka marrë fund, sepse , ashtu si SPAK ka paralajmëruar, çështja mund të shkojë në një instancë më të lartë, ka edhe hijen e një grup shtetesh, që, në këtë moment, nuk duan pa qetësi në shtetin shqiptar, ku ende fryma e anti amerikanizmit nuk është e dukshme, me gjithë përpjekjet e një klani brenda opozitës për ta nxitur atë.
Shqipëria është ende vendi ku ndikimi rus, sidomos pansllav është i largët, ndryshe nga sa ndodh në tre shtetet fqinj, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.
Revoltat në Shqipëri duhen qetësuar, të paktën deri në muajin maj, kur zgjedhjet e reja politike do të jenë fundi i një pjese të klasës së vjetër politike dhe fillesa e pakët e një mendimi ndryshe.
Jo të gjithë u gezun nga liria e tashme e Berishës. E, po ashtu, jo të gjithë u hidhëruan.
Kush u gezua dhe kush u trishtua nga liria, qoftë edhe e përkohshme e Berishës?
Një pjese e madhe e militantëve të lidhur me Berishën ishte e natyrshme të gëzoheshin. Ata e kanë lidhur jetën, mendimin e tyre politik dhe filozofinë e përshtatjes pikërisht me figurën, karizmën dhe pushtetin absolut të Berishës. Këtë e kanë bërë sinqerisht, sepse e besojnë atë në fuqinë e tij, janë të bindur se vetëm ai mund të rrëzojë Ramën nga pushteti dhe të risjell edhe një herë opozitën, si në vitin 2005. Ata e kanë pritur këtë çast, dhe besojnë se ky është fillimi i kthesës së pritur, për të përmbysur situatën dhe për të qenë pjesë e pushtetit. Disa e besojnë sinqerisht këtë, disa e shohin si rrugën e vetme.
Pastaj është pjesa metingashe e opozitës. Të cilët e kanë parë qeverisjen e së djathtës si një mundësi pasurimi, kthimi në parajsën e humbur, në postet që kanë pasur dhe në mundësinë e shfrytëzimit të mëtejshëm të fuqisë që iu është dhënë dikur. Kjo trupë, edhe pse pa ide të qarta dhe asnjë lloj vizioni është e gatshme të kthehet në kamikaz , jo thjeshtë politik, për të qenë rishtas pjesë e pushtetit, është e aftë të kthehet në njësi e armatosur, si ndodhi në vitin 2021, të bëjë presion dhe të ushtrojë dhunë, e ndoshta edhe të vrasë.
Nëse e majta në pushtet do i kishte dhënë të njëjtat fuqi dhe mundësi grabitje, me siguri, një pjesës e madhe e tyre do të ishin “ majtizuar”.
Këto janë të gëzuarit e çastit, por të rrezikshmit e mëdhenj.
Të gëzuar janë edhe grupimi i vogçëz i Ilir Metës, që presin me padurim kthimin e këtij të fundit në kthinat e partisë së tij. Nganjëherë e njëjta gjë shfaqet në dy forma, e rëndë dhe komike. Kjo e fundit duket në kapërcimet zbavitëse të pasuesve të Ilir Metës, ku tronditja e tyre nuk tremb askënd dhe figura e shfaqur shkon drejt komikes.
Brenda opozitës ka edhe një pjesë, jo të pa rëndësishme aktualisht, që hidhërimin e tyre bëjnë përpjekje ta fshehin pas duartrokitjeve dhe gëzimit sipërfaqësor.
Të përfaqësuar nga Bardhi dhe një soj i tij, ata nuk e kanë dashur kurrë Berishën dhe një grup që është i lidhur me të. Gazmend Bardhi, natyrë melankolike, shpesh pre e anktheve, e kalon një pjesë të jetës së tij në gjendje ekstaze mistike. Ai është rob i emocioneve më tepër se kavajasit normalë e shpesh përmes zemërimit foshnjarak, shpreh gjendjen e tij të dyzuar emocionale. Ai ka pritur me padurim dënimin e Berishës, shpesh herë akuzat e tij dhe të këtij grupi kameleonësh kanë qenë më të rënda se dosjet hetimore të SPAK-ut, padurimi i tyre për theqafjen e Berishës ka qenë i dukshëm në çastet kur dukej se fati i tij u rrokullis dhe nuk do të ngrihej më. Janë rikthyer për të qenë aty të gatshëm në rënien e piramidës berishiste, për të ngritur një tjetër.
Liria që ai fiton përmes një gjyqi , vendimin e të cilit pak kush e priste, e bën të vështirë përballjen me të, ndërsa humbjen e bën të sigurtë. Bardhi, edhe sikur të ishte shfaqje e një karakteri të fortë, përsëri do të humbiste ndaj një figure si Berisha, që dorën e hekurt në forcën politike që drejton, si dihet, nuk e ka vendosur tani. Por, që në çastin e parë kur ka menduar se i rrezikohet pushteti.
Në kampin qeverisës tendenca për të pasur një kundërshtar të burgosur, për disa kohë ishte kthyer në gëzimin e ditës, ashtu si përtypën jo pa hidhërim edhe lirinë e Berishës. Qoftë edhe të përkohshme.
Njeriu që mendon se tani rregullat e lojës do të jenë në dy porta, që herë pas here janë mirë kuptuar mrekullisht, kur fjala ishte për pushtetin e tyre, Edi Rama, nuk është i trazuar.
Ai e di se interesat e njerëzve mund të bien në ujdi, por jo ndërgjegjet. Atij i pëlqen që djalli i kryengritjes, duke menduar për Berishën, të marrë pamjen e ëngjellit të reformës. E di gjithashtu se despotizmi i tij brenda forcës politike që drejton ka përballë despotizmin e liderit të opozitës, dhe, duke u ballafaquar me to, e di fare mirë se në shumicën qeverisëse, tani për tani, nuk ka asnjë figurë tjetër që mund ta rrëzojë.
Edhe nëse do të ,mund të ishte, a ka më lehtë t’i trembë të gjithë me gogolin e Berishës, ashtu si ky i fundit i tremb të vetët me gogolin e Edi Ramës.
Në fund të fundit , pikëroisht kësaj gjëje i sherben edhe liria e tanishme e Berishës.