MENU
klinika

Nga Spartak Ngjela

Pse Maqedonia e Veriut është trembur nga shqiptarët?

02.12.2024 - 20:20

Maqedonia e Veriut, është një shtet artificial i krijuar në vitin 1945 midis sllavëve dhe shqiptarëve, me urdhër të presidentit të Jugosllavisë, Josif Broz Tito…
Çështja shqiptare tani kuptohet se është në një zhvillim progresiv.

Ajo po ecën nga Tirana në Prishtinë, dhe në Shkup, në Podgoricë, në Çamëri; dhe te milionat e shqiptarëve që jetojnë në Turqi e në Greqi.

I.Tani dihet se kjo çështje, për shqiptarët autoktonë, ka qenë një vështirësi e madhe historike si pasoje e dyndjeve sllave që u derdhën në Gadishullin Ilirik në Shekullin e VII.

Por sot, ajo po ecën përpara hap pas hapi në çdo ditë.

Aktualisht në Ballkan janë dy shtete shqiptare; por në rrugë kuptohet se është edhe një shtet i tretë shqiptar, Maqedonia e Veriut, e cila ka brenda saj mbi një milionë shqiptarë.

Në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 1.2 milionë banorë shqiptarë, pavarësisht se sllavët falsifikojnë proceset zgjedhore.

Asgjë nuk do të bëjnë dot, se çështja shqiptare tani, pas 120 vitesh, ka hyrë dhe po ecën në një progres të plotë.

II.Në vitin 1912- 1913 nga territori i saj kombëtar, Shqipërisë së pavarur iu shkëputen mbi 40 mijë km2: Kosova, Çamëria dhe Maqedonia dhe, katër qytete në Malin e Zi – që të katërt vende të historisë reale të Shqipërisë, që nga koha e Piros së famshëm të Epirit, Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, e deri në ditët e sotme.

Por koha eci drejt, dhe tani është krijuar edhe Kosova, si shteti i dytë shqiptar në Gadishullin Ilirik, të cilit ia ndryshuan emrin duke e quajtur Gadishulli i Ballkanit.

Por ne shqiptarët duhet të kujtohemi ngaherë se kjo ndodhi, ngaqë sllavët, me Rusinë në krye, e dinin që ky Gadishull kishte qenë i gjithë territor i popullit të njëjte shqiptar, duke kaluar në tre mijë vite rresht nga Iliria në Arbëri e nga Arbëria në Kosovë e Shqipëri.

Por ja, tani ka ardhur koha historike në krijimin e dy shteteve shqiptare: Shqipëri dhe Kosovë. Kurse aktualiteti historik po tregon se po del edhe një shtet i tretë shqiptar: Maqedonia e Veriut.

Pse…?

III.Sepse Maqedonia e Veriut, është një shtet artificial i krijuar në vitin 1945 midis sllavëve dhe shqiptarëve, me urdhër të presidentit të Jugosllavisë, Josif Broz Tito.

Por historia tani e njeh shumë saktë që ky territor shqiptar i përket historisë së Shqipërisë Etnike.

Gjithsesi, pikërisht për këtë, ne shqiptarët duhet të jemi të gatshëm dhe të formuar historikisht e politikisht për të filluar brenda nesh procesin e bashkimit kombëtar.

Pikërisht te ky proces e kanë shqetësimin e vet edhe Beogradi, edhe Moska, por edhe Mali i Zi.

Kjo sepse dhe qytetet e mëdha të Malit të Zi, madje edhe kryeqyteti i këtij shteti, janë qytete të historisë së Shqipërisë, sepse janë vende etnikë të Shqipërisë që nga koha e Aleksandërit të Madh të Maqedonisë, i cili tani dihet si e provuar historikisht që ai ka qenë shqiptar.

Ai kryeministër në Tiranë që do ta nisë këtë proces, do të hyjë me lavd të madh historik në historinë e Shqipërisë.

IV. Koha e sotme po e nxjerr në dritë shqiptarinë e dhunuar edhe nga grekët, edhe nga sllavët. Po historia e shqiptarëve: ku duhet të mbështetet ajo politikisht që të rivendosë vetveten, kundër pushtuesve ardhacakë në Gadishullin Ilirik?

Ka ardhur koha që qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës të mbështesin arvanitasit në Greqi dhe shqiptarët në Serbi, në Mal të Zi dhe në Turqi; sepse kjo tani është një domosdoshmëri historike. Dhe për këtë duhet të fillojë aktiviteti i ndjeshëm politik ndërkombëtar në hapjen e shkollave shqipe, kudo ku sot jetojnë shqiptarët e pushtuar nga sllavët e nga grekët.

Ajo qeveri shqiptare në Tiranë që nuk e hap këtë proces, që ky të fillojë realisht drejt, nuk është me interesin kombëtar.